Dardan Klinaku
Një numër goxha i madh i muslimanëve në mbarë botën mundohen ta zbatojnë këtë mënyrë jetese e rrjedhimisht, kjo atyre u pamundëson zhvillim normal të jetesës së tyre. Për pasojë atyre u vështirësohet mundësia e shkollimit dhe punësimit, mundësia e bërjes biznes me preteksin e mungesës së hapësirës dhe pamundësisë se zhvillimit të një biznesi në mënyrë hallall. Jo rrallëherë dëgjojmë raste se prindërit i ndalojnë fëmijët e tyre nga shkolla (posaçërisht të gjinisë femërore) më frikën nga ndikimi i shoqërisë tanimë të zhytur në mëkate e devijime të mëdha, gjithashtu dëgjojmë raste të refuzimit të punës e ku më pastaj i tilli bëhet barrë e shoqërisë.
Veprimet e lartpërmendura kanë ndërlidhje me nevojat tona elementare për jetesë, mirëpo kjo nuk është e tëra…
Ta zëmë se ne mund t’ia dalim ti plotësojmë nevojat tona të izoluar në vetvete, atëherë shtrohet pyetja: A përfundon me kaq misioni ynë në këtë botë apo kemi ende punë për të bërë? – Patjetër se jo, obligim i patjetërsueshëm i yni si muslimanë është të ftuarit e të tjerëve në Islam, ashtu siç bëri dikush tjetër me ne gjatë kohës kur ne nuk ishim të paudhëzuar! E ky obligim ose thënë më mirë ky nder të cilin e kanë kryer njerëzit më të mirë, pejgamberët aljhimuselam ne kurrsesi nuk mund ta kryejmë pa u përzier me njerëzit e tjerë.
Gjithashtu, dëm tjetër tejet të madh që na e sjell getoizimi është se ndikon drejtpërdrejt në shkëputjen e lidhjeve farefisnore e kjo rezulton në pamundësinë e thirrjes së të afërmëve tanë në praktikimin e fesë.
Pra, këto veprime e shumë të tjera pa marrë parasysh se qëllimi i tyre mund të jetë i mirë prap se prap mund ti konsiderojmë si veprime të gabuara.
Në anën tjetër një numër i konsiderueshëm i muslimanëve duke mos pasur fare kujdes për rrezikun që mund tu vie, përzihen me të tjerët pa pasur fare urtësi e maturi. Siç tregon përvoja e rasteve të ndryshme si i llojit se personi i caktuar tërë kohën është duke e kaluar me një shoqëri të devijuar e për pasojë më nuk prezenton në namazin me xhematë e madje edhe ka filluar të lëshojë dukshëm parime bazë të fesë, ose rasti i një personi tjetër i cili duke prezentuar tej mase me gjininë e kundërtë ka filluar një lidhje sipas tij serioze me një vajzë e cila nuk e ka dert devotshmërinë…
Andaj, si gjithmonë ajo që kërkohet nga ne është ta ndjekim mesataren e këtë më së miri na e ka mësuar i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue sel-lem.
Nëse e shikojmë jetën e tij mund të shohim se si ai përzihej me të tjerët dhe e shfrytëzonte rastin që ti thërriste për tek Allahu, mirëpo asnjëherë nuk iu bashkohej atyre në veprimet e ndaluara me preteksin se do ti thërras në Islam.
Pra, nëse në vendin e punës ose gjatë shkollimit tone ose në ambientin e afërt apo të largët familjar jemi të rrethuar me njerëz që nuk janë praktikues e madje mund të jenë edhe kundërshtues të Islamit, atëherë patjetër në pjesën tjetër të kohës duhet prezentojmë në ligjërata fetare, të shoqërohemi me vëllezër në mënyrë që ti amortizojmë ndikimet eventuale që mund të na kanosen gjatë kohës kur kemi qenë rrethuar me të tjerët.