Rreth 200 kosovarë hetohen për "terrorizëm"

Që nga viti 2013 janë arrestuar mbi 100 persona në Kosovë, për të cilët ekziston dyshimi se janë përfshirë në vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm.
Sipas Policisë së Kosovës, nga 2013 e deri më tani policia ka filluar hetime kundër rreth 200 personave të dyshuar për terrorizëm ku procedura penale ndaj të cilëve është në faza të ndryshme.

Këto të shifra i ka dhënë për Gazetën Tribuna, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Hoxha ka shtuar se varësisht nga analizat paraprake Policia e Kosovës me qëllim të parandalimit dhe sjelljes së të dyshuarve para organeve të drejtësisë monitoron aktivitetin e personave për të cilët ekziston dyshimi se kanë kryer apo do tentojnë të kryejnë ndonjë vepër penale.

“Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë bëjnë vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e kërcënimit nga çfarëdo aktiviteti kriminal, duke përfshirë edhe kërcënimin nga terrorizmi”, ka thënë Hoxha.

Policia e Kosovës është zotuar se së bashku me institucionet e tjera të vendit janë të gatshme që varësisht nga situata të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj kërcënimi ndaj sigurisë së vendit në përgjithësi dhe kundër qytetarëve të saj në veçanti.

Ndërsa numri përafërt i kosovarëve që luftojnë përkrah organizatave terroriste si ISIS dhe Al Nusra është 100 persona.

Artikulli paraprakÇifutët dhe fushatat e frikësimit nga Islami në Evropë!!!…
Artikulli vijuesRusia po eliminon armiqtë e DAESH-it në Siri