Një raport i Oxfam-it, një agjenci ndihme me qendër në Britani, vë në pah se gjashtë vendet më të pasura të botës u kanë bërë strehë më pak se nëntë për qind të refugjatëve të globit.
Edhe pse përbëjnë më shumë se gjymën e ekonomisë globale, SHBA-të, Kina, Japonia, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë pritur vitin e shkuar 2.1 milionë refugjatë dhe azilkërkues, një shifër e barabartë me vetëm 8.88 për qind të numrit të përgjithshëm në nivel botëror.
“Ndërsa Gjermania ka mirëpritur së fundi shumë më tepër refugjatë se pjesa tjetër e vendeve më të pasura, ende ka një hendek të madh me vendet më të varfra, që sigurojnë shumicën dërrmuese të strehës së sigurt për refugjatët,” thotë raporti i Oxfam-it.
Shqetësim dhe zhgënjim shprehin fjalët e shefes ekzekutive të kësaj agjencie ndihme, Winnie Byanyima, “Eshtë e turpshme që aq shumë qeveri po u kthejnë kurrizin vuajtjeve të miliona njerëzve të pambrojtur, që kanë lënë shtëpitë dhe shpesh rrezikojnë jetën në kërkim të gjetjes së sigurisë.”
Në kundërshtim me këtë, vende më të varfra janë treguar më bujare në ofrimin e një strehe për refugjatët.
“Jordania, Turqia, Pakistani, Libani, Afrika e Jugut, si dhe Territori i Pushtuar Palestinez, presin mbi 50 për qind të refugjatëve dhe azilkërkuesve të botës, edhe pse përbëjnë më pak se dy për qind të ekonomisë globale,” hedh dritë raporti.
Byanyima thotë në lidhje me këtë: “Vende më të varfra po mbajnë mbi shpatulla detyrën e mbrojtjes së refugjatëve, kur kjo duhet të jetë një përgjegjësi e ndarë.”
Raporti flet për 65 milionë njerëz anembanë botës që janë detyruar t’i lënë shtëpitë për shkak të konflikteve, persekutimit dhe dhunës. Më shumë se një e treta e tyre janë refugjatë dhe azilkërkues, kurse të tjerët janë shtrënguar të lëvizin brenda vendit.
Oxfam-i u kërkon qeverive të presin më shumë refugjatë dhe t’u japin më shumë ndihmë vendeve që e strehojnë pjesën më të madhe të tyre, një thirrje që vjen para dy takimeve të mëdha që do të mbahen në shtator në SHBA për refugjatët dhe për emigrantët ekonomikë. /tesheshi.com/