Shkaqet e fatkeqësisë ende nuk dihen, ndërkaq zyrtarët dyshojnë se avioni është rrëzuar për shkak të erës së fuqishme
MOSKË (AA) – Hetuesit rusë të cilët punojnë për hetimin e fatkeqësisë ajrore në Rostov, në të cilën humbën jetën 62 persona, kanë gjetur kutinë e zezë, raporton Anadolu Agency (AA).
Boeing 737-800 i kompanisë FlyDubai transportonte 55 pasagjerë, prej të cilëve shumica ishin rusë, dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit të kombësive të ndryshme, kur u rrëzua në qytetin Rostov, derisa tentonte të aterojë gjatë erë së fuqishme. Ministria ruse e Situatave Emergjente njoftoi se askush nuk ka mbijetuar.
Në avionin ishin të pranishëm edhe katër fëmijë. Zëdhënësi i ekipit hetimor Vlladimir Markin tha se hetuesit kanë gjetur kutinë e zezë me bisedat nga kabina e pilotimit, ndërsa vazhdojnë kërkimin e kutisë tjetër e cila ka regjistruar parametrat e fluturimit.
Shkaqet e fatkeqësisë ende nuk dihen, ndërkaq zyrtarët dyshojnë se avioni është rrëzuar për shkak të erës së fuqishme.