Presidenti francez François Hollande pas sulmit terrorist të enjten në Nice ku humbën jetën 84 persona, deklaroi se “Franca është sulmuar në Ditën e saj kombëtare, e cila është simbol i lirisë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin përmes televizionit kombëtar, Hollande tha se gjendja e jashtëzakonshme, e cila hyri në fuqi pas sulmeve të nëntorit në Paris dhe duhej të përfundonte më 26 korrik, pas sulmit në Nice është vazhduar edhe në tre muajt e ardhshëm.
Sulmi terrorist ndodhi gjatë kohës kur kamioni me ngjyrë të bardhë ka lëvizur në drejtim të masës rreth dy kilometra përgjatë Promenade des Anglais në kohën kur janë mbajtur fishekzjarre. Sipas fjalëve të dëshmitarëve shoferi ka dalë nga kamioni dhe ka hapur zjarr ndaj turmës, ndërsa më pas është ekzekutuar.
“Dënoj edhe një sulm tjetër terrorist të cilin askush nuk mund ta mohojë dhe përsëri na ktheu në gjendjen e jashtëzakonshme. Franca në tërësi është nën kërcënimin e terrorizmit islamik. Duhet patjetër të tregojmë vigjilencë absolute dhe vendosmëri të palëkundur”, deklaroi Hollande në fjalimin drejtuar kombit.
Ai shtoi se vendi i tij do ti forcojë përpjekjet në Siri dhe Irak të luftojë kundër atyre të cilët sulmojnë në vendin e tij. Hollande paralajmëroi se sot do të udhëtojë në Nice dhe do të takohet me përfaqësuesit e policisë, xhandarmërisë dhe autoriteteve lokale.
Sulmi në Nice ndodhi disa orë pasi Hollande paralajmëroi se më 26 korrik do të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme, e cila hyri në fuqi pas sulmeve terroriste në Paris më 13 nëntor të vitit të kaluar. Atëherë në disa lokacione në kryeqytetin e Francës u vranë 130 persona.