Betimi i Presidentit të ri amerikan ka rrëmbyer vëmendjen e botës. Por edhe pse asgjë nuk e pengon tashmë vendosjen e Donald Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë, gjermanët ende e kanë të vështirë ta besojnë se Amerikën do ta drejtojë biznesmeni kontrovers.
Kjo vlen si për politikanët, ashtu edhe për popullsinë. E vetmja që sheh dritë në fund të tunelit është ekonomia.
“Nëse Trump do të kandidonte në Gjermani, ai kurrësesi nuk do të ishte bërë president”, vënë në dukje ekspertë të Institutit të Demoskopisë “Dimap” të cituar nga DW.
Hulumtimet tregojnë, se me fitoren e Trump-it ka rënë dukshëm besimi i gjermanëve ndaj SHBA-së. Përpara zgjedhjeve, një në dy gjermanë e shihnin SHBA si partner të besueshëm. Tani, shifra ka mbërritur një në pesë.
Mosbesimi i referohet të gjithë sistemit politik të Shteteve të Bashkuara, i cili bëri të mundur Trumpin. Në mënyrë të veçantë shihet me shqetësim mbërritja e një njeriu të tillë në një pozicion kaq të pushtetshëm, sepse prej tij mund të ndihen të inkurajuar edhe politikanë të tjerë populiste. Po vihet gjithashtu në pikëpyetje edhe bashkëpunimi ndërkombëtar në rast konfliktesh.
Të gjithë presin të shohin çfarë qëndrimi do të mbajë Trump ndaj NATO-s. Ndërkohë, pavarësisht kërcënimit të republikanit për gjobat doganore dhe frenimin e tregtisë së lirë, 64 përqind e drejtuesve në ekonominë gjermane shohin mundësi për sipërmarrjet e tyre me qeverisjen e tij.