Të ndjekësh “ëndrrën” për në Gjermani, kur e humb shpresën për punësim në Kosovë, është njëri nga opsionet që të rinjtë kosovarë po e zgjedhin për të gjetur një vend pune.
Një jetë më të mirë, një mundësi punësimi, janë arsyetimet që më së shpeshti dëgjohen nga ata që e kanë lënë ose planifikojnë ta lënë vendin, shkruan Koha Ditore.
Studiot fotografike në Prishtinë, që janë në afërsi të selisë të Ambasadës së Gjermanisë, përfitojnë nga largimet e tilla. Posa dikush hyn në lokal punëtoret marrin aparatin dhe pa fjalë fotografojnë.
Numër i madh i të rinjve prisnin javën e kaluar afër një dyqani, për të bërë fotografinë që u kërkohet nga Ambasada për një vizë pune.
Ariana Fetës i kanë mbetur më pak se dy muaj që t’ia fillojë për herë të parë punës si mjeke. Por jo në Kosovë. Javën e kaluar ajo e ka marrë lejen e punës në Gjermani.
“Kanë kaluar rreth katër vite nga diplomimi, nëse e llogarisim edhe kohën e stazhit”, ka thënë ajo. Në Kosovë asaj nuk i është dhënë mundësia asnjëherë që të punojë në profesionin, për të cilin thotë se ka shpenzuar shumë kohë dhe mund.