Gjinekologjia dhe Neonatologjia e QKUK-së përballen me kushte të vështira

Klinikat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që kanë të bëjnë me lindjen e fëmijës dhe zhvillimit të tij vazhdojnë të përballen me kushte tejet të vështira.
 
Mungesa e preparateve nga më të nevojshmet, bënë që këto klinika të duken në gjendje të mjerueshme. Pacientet të cilat lindin fëmijët e tyre në Klinikën Gjinekologjisë, fëmijët e të cilave nuk janë në gjendje të qëndrueshme, po ankohen se fëmijët e tyre nuk po qëndrojnë aq sa duhet në inkubator.
 
E inkubatorët për vendosjen e këtyre fëmijëve gjenden në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK.
 
“Kam lindur para pesë ditëve, fëmiu im nuk ka shëndet të mirë dhe po qëndron në inkubator. Mjekët më thanë që ka shumë të porsalindur që kanë nevojë për inkubator dhe nuk ka mjaftueshëm për të gjithë, andaj na e kanë bërë me orë të caktuara, shembull 2 orë të qëndrojë fëmiu im, dy orë një fëmijë tjetër”, tregon për Indeksonline një nënë e cila shprehet tejet e zhgënjyer me pritjen në këtë klinikë. 
 
“Këtu është tmerr, si mund të trajtojnë kështu një fëmijë që sapo ka ardhur në jetë”, shton ajo.
 
Mirëpo Mynevere Latifi, Drejtoreshë e Klinikës së Neonatologjisë shprehet se Klinika që ajo e drejton ka inkubator të mjaftueshëm për futjen e fëmijëve në ta, mirëpo qëllimi që ata nuk qëndrojnë për shumë kohë në inkubator është që fëmiu sa më shpejt të bashkohet më nënën e tij.
 
“Nuk është problemi që ne nuk kemi inkubator, por ne po dëshirojmë vet që ta implementojmë kujdesin që quhet ‘Nana Kingur’, të cilin e përdorin shumë shtete perëndimore”, ka thënë Latifi. 
 
Ajo ka bërë të ditur se nevoja për inkubator të rinj ekziston për klinikën e Neonatologjisë sepse të tanishmit janë të vjetruar. Por Latifi bëri të ditur se qëllimi se fëmijët nuk qëndrojnë shumë në inkubator është bashkimi i tyre sa më shpejt me nënën.
 
Mirëpo një tjetër lehonë është ankuar se Klinika e Gjinekologjisë po ka mungesë të shtretërve.
 
A.H, një grua e cila ka lindur fëmiun e saj të parë në këtë Klinikë ka thënë për Indeksonline se në gjendjen e saj ajo është dashur që ta ndaj shtratin me një grua tjetër po ashtu shtatzënë.
 
Ajo tregon se u pranua në këtë Klinikë edhe pse nuk kishte shtrat të lirë për të.
“Është shtatëzania ime e parë. Dje jam shtrirë në spital dhe nuk ka pasur shtrat të lirë, më thanë të qëndroja më shumë se pesë orë tek shtrati i një gruaje tjetër, t’i bëja vetes një vend aty derisa të lirohej ndonjë shtrat. Nuk isha në gjendje të mirë shëndetësore, por kjo nuk i bënte përshtypje askujt”, tregon për Indeksonline A.H. /kohaislame
Artikulli paraprakLidhja e Prizrenit vështruar në zhvillimet e kohës së saj – Vali Kabashi
Artikulli vijuesEmigrantët e Zvicrës, të integruar mirë në tregun e punës