Gjyqi i terroristit Breivik, i riu i vë flakën vetes para gjykatës

Një i ri i vuri flakën vetes jashtë gjykatës në të cilën vrasësi serial, Anders Behring Breivik, është duke u gjykuar në Oslo.

Ngjarja ndodhi mesditën e ditës së martë, ndërsa gjatë seancës, një grup të plagosurish gjatë masakrës së Utojës, në korrik 2011, po dëshmonin përpara trupit gjykues.

Breivik ka pranuar përgjegjësinë për vrasjen e 77 të rinjve pothuajse një vit më parë, në një sulm me bombë në kryeqytet dhe me armë në një kamp rinor, por mohon përgjegjësinë kriminale për këto akte.

Sipas dëshmitarëve pamorë, i riu u afrua pranë gjykatës pasi ishte spërkatur me benzinë dhe i vuri flakën vetes pasi bërtiti për disa sekonda.

Megjithatë, është e paqartë se çfarë tha ai, përpara se të kryente aktin e dëshpëruar, pasi githçka ndodhi shumë shpejt.

Ndërhyrja e policisë bëri që flakët të shuheshin shpejt dhe i riu të dërgohej me urgjencë në spital, ku pavarësisht djegieve, u deklarua në gjendje të stabilizuar.

33-vjeçari Anders Behring Breivik, shëndeti mendor i të cilit është i debatueshëm, e ka konsideruar masakrën e tij si “të domosdoshme për fatet e Norvegjisë”. Një neonazist dhe kundërshtar i emigracionit, ai qëlloi kampin rinor të partisë kryesorë ne vend, e cila mbështet multikulturalizmin në vend./tch/kohaislame

Artikulli paraprakIndonezi: Është gjetur kutia e zezë e aeroplanit rus
Artikulli vijuesSIRI – NDËRHYRJA USHTARAKE, PËR MOMENTIN NUK ËSHTË PIKË E AGJENDËS TURKE