Vatikani për mosnjohjen shtetin e Kosovës, arsyetohet se ka marrëdhënie të mira me Serbinë

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, u takua sot në Selinë e Shenjtë në Vatikan me sekretarin e Shtetit, Paul Richard Gallagher, me të cilin bisedoi për zhvillimet në Kosovë dhe forcimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

Pacolli e njohu bashkëbiseduesin me një bilanc të përparimit të brendshëm dhe të afirmimit të shtetësisë së Kosovës, që sot njihet në botë nga 115 shtete.

“Kosova sot në dhjetëvjetorin e vet ka një kuadër kushtetues model për marrëdhëniet ndëretnike, të cilat kanë njohur përmirësim të jashtëzakonshëm. Bashkëjetesa fetare, gjithashtu është shembull për rajonin”, tha ai.

Në vazhdim të takimit, ministri Pacolli kërkoi shtim të kontakteve midis Kosovës dhe Vatikanit, rritje të nivelit të përfaqësimit dhe njohje të shtetit të ri të Kosovës, si kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ndërsa, kardinali Gallagher, tha se vlerësojnë aspiratat e popullit të Kosovës dhe se janë të gatshëm për rritjen e bashkëpunimit me Kosovën por duan qe te mos prishin marrëdhëniet me shtetet e tjera te rajonit, në këtë rast me Serbinë.

“Ju e njihni mirësinë që ka Ati i Shenjtë, Papa Francesku, dhe Selia e Shenjtë ndaj popullit të Kosovës. Ne i dimë aspiratat e popullit tuaj dhe i vlerësojmë ato. E dimë se komuniteti katolik i vendit tuaj dëshiron të rrisë nivelin e organizimit në dioqezë dhe ne do të bëjmë hapa të matur. Ne nuk kushtëzohemi nga askush, por thjesht duam që të mirëkuptohemi nga të gjithë aktorët në rajon, për çdo hap që bëjmë. Ne jemi të gatshëm të rrisim bashkëpunimin me Kosovën”, tha ai.

Gjatë takimit, ministri Pacolli foli për zhvillimin ekonomik e social në vend, dhe përpjekjet për të përfshirë në punësim, ndërsa e ftoi kardinalin Gallagher për një vizitë në Kosovë në kuadër të festimeve të dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Artikulli paraprakLidhja Demokratike kërkon shkarkimin e ministrit Gashi
Artikulli vijuesGlauku: E kuptoj pse Dardan Gashi gjuajti me armë, në oda njeriu bëhet trim edhe pa qenë