Google synon tregun e pajisjeve shtëpiake

0
175

Njoftimi në internet me titullin kriptik “Google to Acquire Nest” – Google do të blejë Nestin – ra si bombë. Gjigandi amerikan i internetit do të blejë një kompani që prodhon rrjete të automatizuar pajisjesh shtëpiake, kryesisht për telekomandimin e termostatëve për ngrohje qendrore dhe të detektorëve të tymit. 3.2 miliardë dollarë për produkte kaq të zakonshme?
Sven Hansen, redaktor në revistën “c’t” të specializuar për teknikën kompjuterike thotë se të dy këto aparatura komandohen përmes internetit dhe dizajni i tyre të kujton prodhimet e Apple, sepse ixhinierët që i kanë projektuar i takonin dikur sipërmarrjes Apple.

Blerja e kompanisë Nest nuk përbën ndonjë problem për Google, sepse gjigandi amerikan i internetit ka rreth 57 miliardë dollarë para të thata nga letrat me vlerë.
Strategjia e Google duket e qartë. Google synon të hyjë në tregun pajisjeve shtëpiake të lidhura në rrjet dhe që mund të komandohen nga një platformë e vetme. Platforma të tilla qenë në qendër të vëmendjes së Panairit të Elektronikës në Las Vegas. Samsungu i quan këto sisteme “SmartHome” kurse Google sipas ekspertëve do të përdorë me siguri për platforma të tilla sistemin Android, gjë që do të bëjë të mundur që ky të kthehet në një treg masiv për të ardhmen.

Vlera për konsumatorin
Sven Hansen thotë se edhe në panairin e elektronikës IFA në Berlin prezantohen gjithmonë pajisje shtëpiake të lidhura në rrjet dhe që mund të komandohen nga larg përmes internetit, por vlera praktike e tyre është në shumicën e rasteve e kufizuar. P.sh. ç’vlerë ka në rast se lavatriçja të çon një lajm në smartphone se e mbaroi larjen e rrobave?
Sipas tij treg të madh do të kishte për rrjete të tilla pajisjesh shtëpiake përmes të cilave konsumatorët mund të kursejnë para p.sh. duke shfrytëzuar me efikasitet energjinë elektrike.

Shanse në tregun e së ardhmes
Firma Tado nga Mynihu punon pikërisht në këtë drejtim. Ajo ka zhvilluar një App për Smartphone me anë të të cilit konsumatorët mund të kursejnë deri në 300 euro nga shpenzimet për ngrohjen e shtëpive. Christian Deilmann, drejtor ekzekutiv i kësaj firme e priti me gëzim lajmin se Google do të blejë Nest-in, sepse kjo sipas tij tregon se firma e tij do të ketë shanse në tregun e së ardhmes. Ai thotë se komandimi nga larg i kaloriferëve përmes internetit bëhet në mënyrë po aq të shifruar sa edhe veprimet bankare on-line.
Sipas Deilmann tregu anglez, ku firma e tij ka hyrë në vjeshtë të vitit të kaluar, ecën me të njëjtën shpejtësi si tregu në SHBA dhe se firma Tado po nxjerr tani më shumë fitime se në Gjermani, edhe pse këtu është në treg prej më shumë se një vit e gjysmë.