Görmez: Tani është koha kur 79 milionë qytetarë duhet të bashkohen

0
411

Nën udhëheqjen e Kryetarit të Çështjeve Fetare në Turqi Prof. Dr. Mehmet Görmez u mbajt mbledhje e jashtëzakonshme konsultuese në të cilën morën pjesë muftinj nga 81 qytete për t’i vlerësuar ndodhitë gjatë tentativës për grusht shteti nga organizata FETO dhe pas saj. Kryetari Görmez, pas mbledhjes lexoi komunikatën, raporton Anadolu Agency (AA).

Görmez potencoi se mbrëmjen e së premtes më 15 korrik populli u përball me vrasje të madhe nga junta e cila kishte arritur të infiltrohet brenda Forcave të Armatosura Turke. Ai u shpreh se kjo tentativë dështoi nga rezistenca dhe thirrja e presidentit të shtetit, administratës legjitime, TSK-së, Policisë së Operacioneve Speciale dhe forcave të sigurisë, institucioneve politike, mediave të matura dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, si dhe nga mprehtësia, guxime dhe vendosmëria e popullit.

“Populli ynë atdhedashës dhe liridashës nuk lejoi shkeljen e vullnetit kombëtar dhe çrregullimin e ligjit. I gjithë populli ynë u bashkua në një trup të vetëm për të dalë kundër këtij sulmi që shënjestroi ligjin e popullit, vrasjen e dinjitetit njerëzor dhe nëpërkëmbjen e nderit , dhe i tha ‘ndal’ kësaj kryengritjeje tradhtare duke i shndërruar gjokset në mburoja”, tha Görmez.

– “Tani është kohë që të gjithë t’i dalim zot vullnetit kombëtar” –

Më tej Görmez e theksoi nevojën e botës islame të qëndrojë larg çdo përpjekjeje, që ndodh në disa vende, e cila synon përçarjen e popullit, krijimin e një mjedisi armiqësor, sjelljen e kaosit dhe prishjen e rendit përmes nxitjes së konflikteve, nxitjen e stabilitetit dhe ndarjen e shteteve.

“Kurrë nuk duhet lejuar që nga rrëmuja e krijuar dhe mjedisi i pasigurtë të shfaqet dhunë e re dhe rrjete të reja terroriste. Duhet përgjigjur me mendjemprehtësi dhe maturi ndaj çdo sjellje dhe qëndrimi i cili arsyeton konfliktet të cilat përçajnë popullin duke provokuar tensione fetare dhe etnike. Tani është koha kur 79 milionë qytetarë duhet bashkuar duke i lënë anësh dallimet në besim, mendime dhe qasje. Tani është koha kur të gjithë qytetarët duhet ta dimë se jeta e të gjithë bijve anembanë vendit, atdheut, qytetit apo lagjes në të cilën jetojmë, është po aq e ndershme sa edhe jeta jonë, se feja e tyre është po aq e mirë sa edhe feja jonë, dhe se familjet e tyre janë po aq të vlefshme sa edhe familjet tona”, tha Görmez.

Sipas tij, tani është koha kur të gjithë së bashku duhet t’i dalim zot ligjit të popullit, vullnetit kombëtar, lirive, demokracisë dhe të gjitha fitimeve materiale dhe shpirtërore të shtetit tonë.

“Rezistenca fisnike kundër kësaj lëvizjeje tradhtare e cila synoi ardhmërinë e popullit tonë të ndershëm dhe shkeli ligjin e tij, në të njëjtën kohë duhet shkruar në histori si rezistencë për drejtësi dhe mëshirë. Duhet të vazhdojmë që të gjithë, pavarësisht etnisë, sektit, gjinisë apo ideve politike, të jemi të bashkuar si një zemër e vetme kundër atyre që dëshirojnë ta përçajnë vendin tonë”, theksoi Görmez./AA/