Në organizim të Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSITEB) qindra qytetarë u tubuan në qendrën e qytetit të Gostivarit në mbështetje të popullit dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, i cili u ballafaqua me tentativën jolegjitime për kryengritje nga pjesëtarë të forcave të armatosura turke, besnikë të organizatës terroriste FETÖ të drejtuar nga Fetullah Gülen, raporton Anadolu Agency (AA).
Qytetarët e tubuar në qendër të qytetit të cilët lexuan edhe lutje për dëshmorët e rënë gjatë tentativës për grusht shtetit, thonë se Turqia udhëhiqet nga një qeveri legjitime dhe demokratike dhe se askush nuk guxon të veprojë kundër vullnetit të popullit.
Kryetar i shoqatës MATÜSITEB, Tahsin Ibrahim, tha se populli turk i dha përgjigjen e duhur kësaj tentative për grusht shteti, e cila kishte për qëllim të dëmtojë stabilitetin e vendit.
“Me luftën për mbrojtje të demokracisë dhe shtetit, populli turk shkruajti një histori të re, ndërsa ata që tradhtuan vullnetin e popullit dhe vendin e tyre, në kohën sa më të shkurt të mundur duhet të japin llogari para ligjit”, u shpreh.
Nga ana tjetër, ambasadori turk në Maqedoni, Ömür Şolendıl, tha se shteti dhe populli turk do të vazhdojë t’i dal zot vullnetit të tij dhe demokracisë, si dhe të drejtës ligjore në vend.
“Puna e shtetit turk kundër veprimeve të cilat synojnë prishjen e unitetit, integritetet, mirëqenies, qetësisë dhe paqes, do të vazhdojë me përkushtim dhe vendosmëri”, u shpreh ai.
Një student nga Gostivari i cili studion masterin në Ankara, Fatmir Ismaili, theksoi se tradhtarët e tillë si në Turqi, ndodhen edhe në Maqedoni. “Me krenari pohoj se Turqit së bashku me të gjithë bashkëqytetarët tjerë në Maqedoni çdo herë kanë qenë dhe do të jenë në anën e Turqisë”, u shpreh ai.
Në tubimin e organizuar në mbështetje të kombit turk, përveç qytetarëve të Gostivarit të pranishëm ishin edhe kryetari i Agjencisë për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), Teoman Tiryaki, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe organizatave joqeveritare turke në Maqedoni.