Grabovci: Limaj e Krasniqi, e shkelën Statutin

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë se Kuvendi Zgjedhor i PDK-së do të mbahet sivjet, ndërkaq sipas tij, kushdo që e meriton, mund të jetë kundërkandidat i Hashim Thaçit.
Ai në intervistë për gazetën “Express” thotë se Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj shkelën Statutin e partisë duke votuar si Vetëvendosja për çështjen e privatizimit.

Se a mund të shkojë deri në fund të mandatit kjo Qeveri me mbështetjen e deputetëve të opozitës në Parlament, apo duhet të ridisenjohet koalicioni qeverisës, Grabovci u shpreh “Grupi Parlamentar i PDK-së është plotësisht unik, ose thënë ndryshe, në masën mbi 90 për qind të deputetëve të grupit që unë e udhëheq, e ka përkrahur procesin e privatizimit. Opinione të ndryshme për privatizimin kishte edhe brenda partive të tjera politike. PDK-ja e përkrah procesin e privatizimit që të shkojë sipas agjendës së paraparë. Vendimi ynë është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ekonominë e lirë të tregut, konkurrencën e lirë. Ky ishte pozicioni ynë kur ishim në opozitë, por edhe tash në pozitë”.

Grabovci është përgjigjur edhe rreth asaj se si u bë që AAK-ja dhe disa deputetë të pavarur të shndërrohen brenda javës në partnerë të PDK-së në Parlament.

“Kjo mbështetje nuk ka qenë as personale, e as e pazareve. Prandaj, nuk bëhet fjalë për kurrfarë ofertash, për të cilat ju aludoni, e as për farë skemash konspirative për të cilat po gëlojnë disa media. Nuk kërsiti kiameti: AAK-ja e ka votuar vazhdimin e procesit të privatizimit, e disa kanë abstenuar, sepse ndoshta edhe ky subjekt politik mendon ngjashëm sikur ne kur është në pyetje procesi i privatizimit, apo edhe zhvillimi ekonomik në përgjithësi. Debatin mbi dhe rreth procesit të privatizimi, duhet shikuar më shumë si një pozicionim konceptesh. Dikush ia mbajti kah ekonomia e centralizuar dhe e kontrolluar nga shteti, kurse ne si PDK, dhe të gjithë ata që votuan për vazhdimin e procesit të privatizimit, i takojmë konceptit të ekonomisë së lirë të tregut, ku shteti nuk e kontrollon ekonominë, por krijon politika zhvillimore, e mbështetur në sektorin privat. PDK-ja qëndron kundër ndërhyrjes në ekonomi dhe burokracisë së madhe shtetërore. Pra, ishte një ballafaqim i dy koncepteve: konceptit të moderuar dhe të ekonomisë së lirë të tregut, përballë rrymës ekstreme dhe regresive ultramajtiste”, tha ndër të tjera, Grabovci. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakMercedes prezantoi versionin elektrik të modelit SLS
Artikulli vijuesSekiraqa: Policia dhe SHIK-u donin likuidimin tim