Grabovci: PDK ka frymë të brendshme të debatitc

Partia Demokratike e Kosovës pret që me zgjedhjen e kryetarit të ri, do të vijnë edhe shumë personalitete që do t’i bashkohen kësaj partie.

Adem Grabovci ka thënë për Gazetën Zëri se shumë shpejt do të ketë aderime të reja, sepse ka kërkesa për t’iu bashkuar vizionit të PDK-së.

Zgjedhja e Kadri Veselit në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, po shihet nga zyrtarë të kësaj partie si shembull për të gjitha partitë tjera se si bëhet ndërrimi nga një kryetar në tjetrin. Sipas nënkryetarit të PDK-së, njëherësh shef i grupit parlamentar të kësaj partie, Adem Grabovci, me Veselin në krye PDK-ja do të jetë edhe më e fortë.

“PDK-ja ka një frymë të brendshme të debatit. Këtë e ka dëshmuar edhe vetë rrjedha e konventës ku delegatët patën rastin kush deshi të ngrinte shqetësimet e veta të çfarëdo natyre qofshin ato. Ky është një shembull i mirë, që shpresoj të shërbejë si shembull edhe subjekteve tjera, se si duhet të bëhen ndërrimet natyrshëm nga një kryetar te tjetri. Dhe unë besoj fuqishëm se PDK-ja nga konventa e djeshme të dalë edhe më e konsoliduar”, ka thënë Grabovci.

Madje, ai paralajmëron edhe ardhje të reja në këtë parti, si nga bota intelektuale e akademike, shoqëria civile, që do ta forcojnë edhe me tutje PDK-në dhe do t’i prijnë drejt fitoreve të tjera.

Artikulli paraprakIsa Mustafa zotohet se do ta anëtarësojë Kosovën në NATO dhe BE
Artikulli vijuesNjë xhami 5 shekullore në brigjet e Durrësit