A di të shkruajë shqip ministri Arban Abrashi?

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, në një postim tre paragrafësh del se ka bërë goxha gabime, jo vetëm gjuhësore.

Monitoruesi i përdorimit të gjuhës shqipe, njëherësh themeluesi i faqes “Vërejtje dhe Rregulla gramatikore”, Ilmi Rexhepi, ka gjetur një numër të madh të gabimeve, përfshirë ato logjike të ministrit Abrashi, në një postim të vetëm, raporton Gazeta Fjala.

Lexojeni të plotë shkrimin e tij:

Asistencë sociale apo ndihmë ekonomike?

Ministri Arban Abrashi, në postimin e tij të fundit, shkruan:

“Filloi shpërndarja e asistencës sociale me 25 % rritje

Sot vizituam familjen e Brahim Bajokut, një nga familjet përfituese të asistencës sociale, duke marr shkas nga fakti se sot filloi shpërndarja e asistencës sociale me 25 % rritje.

Me këtë përmbushem premtimin për rritjen e asistencës sociale, dhe ky vendim tashmë ka filluar të implementohet, c’rast preken më shumë se , për 25 mijë familje me më shumë se 100.000 anëtarë.

Me kryefamiljarët e familjes Bajoku biseduam konkretisht për përmirësimin e kushteve të jetesës, si dhe mundësitë e tjera të përkrahjes së tyre dhe gjithë tjerëve në nevojë”

  1. Kësaj që në Kosovë po quajmë “asistencë sociale”, në Shqipëri i thonë “ndihmë ekonomike”. Pse nuk ngrihet një komision ndërqeveritar që t’i njësojë këto emërtime? Ose, edhe më drejt, kur emërtojmë të përfitojmë nga përvoja e Shqipërisë.

Nëse ka mendime të ndryshme nëse duhet të kemi apo jo njësi politike, njësia gjuhësore nuk vihet në diskutim nga askush që ka gjak shqiptari.

Edhe ata intelektualë që kanë vërejtje për standardin e shqipes, nuk janë kundër njësisë gjuhësore, ata nuk janë dakord me zgjidhje konkrete, por nuk është se duan dy gjuhë, dy standarde, jo se jo dy palë emërtimesh

  1. “Filloi shpërndarja e asistencës sociale me 25 % rritje”, nuk mund të quhet kjo gjuhë zyrtare, si shpërndahet asistenca, krejt në rregull të thoshte “shpërndarja e pagave të asistencës…”
  2. “Sot vizituam familjen e Brahim Bajokut, një nga familjet përfituese të asistencës sociale, duke marr shkas nga fakti se sot filloi shpërndarja e asistencës”

Çfarë sintakse është kjo “duke marr shkas nga fakti se sot filloi shpërndarja e asistencës sociale” nuk është shqipja invalide siç na e paraqet ministri, edhe në ndërtimet sintaksore të Buzukut para sa shekujve paraqitet më e shkathët se në ndërtimet e ministrit.

“marr” duhet “marrë”!

4.”Me këtë përmbushem premtimin për rritjen e asistencës sociale, dhe ky vendim tashmë ka filluar të implementohet”

Çfarë tautologjie, urdhëroni e gjejeni informacionin e ri në këto fjali, po nuk e gjetët, provoni ta gjeni dallimin në përmbajtje ndërmjet këtyre dy fjalive!

  1. “ç’rast preken më shumë se , për 25 mijë familje me më shumë se 100.000 anëtarë”

“me ç’rast” na e kujton Jugosllavinë, atëherë u krijua dhe përdorej si ndërtim (kalk) sllav!

Tash, bini kalkulatorit dhe shihni sa familje “preken”, siç thotë ai, nga asistenca sociale:

25 mijë familje me më shumë se 100.000 anëtarë, domethënë 25 mijë familje që kanë secila nga 100.000 anëtarë!/Gazeta Fjala/

 

Artikulli paraprakBritani e Madhe, peticion për ti ndaluar hyrjen Donald Trump-it
Artikulli vijuesMark Zuckenberg ngritë zërin në mbështetje të myslimanëve