Koncerni farmaceutik zviceran Novartis në shënjestër të hetuesve grekë. Dyshohet për rryshfete deri në mbi katër miliardë euro.
Zëra kishte prej kohësh. Hetimet thuhet se kanë filluar dy muaj më parë dhe fillimisht janë mbajtur sekret. Në mes të janarit prokurori për çështje ekonomike Panagiotis Athanasiou shpalli hetimet në shkallë të gjerë. Prokuroria e Athinës ka kontrolluar zyrat e koncernit zviceran Novartis në kryeqytetin grek dhe i ka kërkuar ndihmë për hetimet edhe Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Dyshohet për pastrim parash dhe evazion fiskal.
Veçanërisht e rëndësishme është pyetja nëse gjiganti farmaceutik u ka dhënë ryshfete mjekëve të spitaleve shtetërore, nëpunësve civilë dhe politikanëve. Informatorët u kanë dorëzuar autoriteteve ligjore dokumente, që tregojnë se të paktën 4.000 vetë në Greqi kanë marrë dhuratat në para ose dhurata të tjera .
Symbolbild Ärzte Korruption (Fotolia/Minerva Studio)
Avokatja Konstantina Fundea, e cila këshillon juridikisht disa punonjës të Novartis në Greqi, tha në një intervistë me DW-në, se ndaj atyre që nuk donin që të bëheshin pjesë ushtrohej presion. Një ish-punonjës i kompanisë, i cili dëshirote të mbetej anonim, tha për gazetën Kathimerini, se ai dhe kolegët e tij në Greqi ndiheshin vitet e fundit “si luftëtarë me objektiva shitjesh të larta që duhet të arrihen patjetër”, edhe për shkak se tregu farmaceutik po rrudhet vazhdimisht për shkak të krizës ekonomike. Novartis duket se i ka marrë akuzat seriozisht. “Ne jemi duke bashkëpunuar plotësisht me autoritetet lokale dhe të huaja”, tha një zëdhënës i koncernit në Basel.
Politizimi i aferës
Organet e drejtësisë nuk po shprehen për hetimet. Por politikanë të ndryshëm po e përdorin këtë aferë për të akuzuar njëri-tjetrin për korrupsion dhe për shfrytëzim të posteve për interesa ekonomike.
Megjithatë akuzat nuk janë tepër të reja. Që në vitin 2012 ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Marios Salmas, qe shprehur për praktika të dyshimta biznesi të industrisë farmaceutike dhe kërkoi inspektimin e punonjësve. Si konservatori Salmas edhe gazetat me orientim të majtë e akuzojnë koncernin Novartis se u ka shitur klinikave shtetërore barna dhe shërbime me çmime të shtrenjta, edhe pse shtrohet pyetja se nëse shkaku për këto lloj shpenzimesh të shtrenjtuara mund të lidhet edhe me strukturat e paqarta të sistemit të tenderimit.
Griechenland Athen Alpha Bank (picture-alliance/abaca)
Kontroll i llogarive bankare
Aktualisht prokuroria po heton dokumentet bankare dhe llogaritë e mjekëve që dyshohet se kanë marrë rryshfete nga Novartis. Për këtë hetuesit duan të ndjekin flukset e mjeteve monetare.
Nga ana tjetër ministri aktual i Shëndetësisë Andreas Xanthos do të shpërbëjë komisionin e plotfuqishëm të çmimit të ilaçeve, në të cilin bënin pjesë edhe manaxherë firmash private. Në të ardhmen çmimi i shitjes së medikamenteve do të përcaktohet prej Entit Shtetëror për Medikamentet (EOF).