Greqia: Udhëheqja e IRJM-së kërkon ‘dashin e kurbanit’ tek të tjerët

0
214
Qeveria greke ka reaguar menjëherë pas deklaratave të Presidentit të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i cili në mesazhin e tij të orëve të fundit i ka kërkuar përsëri komunitetit ndërkombëtar të “heqë” pengesat që i bëhen perspektivës evropiane dhe euroatlantike të vendit të tij.
 
Në një konferencë shtypi në pasditen e së hënës, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Konstandinos Kutras i ka bërë thirrje udhëheqjes së IRJM-së se “nuk duhen fajësuar të tjerët për bllokimin e perspektivës euro-atlantike.
 
“Udhëheqja e shtetit fqinj kërkon ‘dashin e kurbanit’ tek të tjerët”, ka thënë zyrtari grek, raporton Tch.
 
Kutras ka theksuar gjithashtu se “për fat të keq, ringjallja e tensioneve në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë vërteton atë që Athina ka përsëritur shpeshherë, se në vendin fqinj ka probleme serioze që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut, implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, respektimin e parimeve te marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe mungesën e demokracisë së vendit”.
 
Në të njëjtën kohë, ai i ka bërë apel udhëheqjes së Shkupit të përqendrohet tek “kurimi” i këtyre çështjeve, duke demonstruar frymën e autokritikës dhe konsensusit.
 
Së fundmi, duke iu referuar konfliktit të përgjakshëm në Kumanovë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke ka shprehur ngushëllimet e tij më të thella për familjet e viktimave, dhe ka uruar që incidenti të ketë qenë një fenomen i izoluar dhe në vend të mbizotërojë vetëpërmbajtja, logjika dhe dialogu.