Themeluesi i partisë së ekstremit të djathtë francez, Fronti Nacional (FN), Jean-Marie Le Pen u shpreh sot se vajza e tij, Marina, kryetarja aktuale e lëvizjes, është duke e hedhur në erë grupimin e saj politik me kërkesën për përjashtimin e tij.
Që prej disa ditësh ka filluar një luftë e hapur mes presidentit të nderit të FN-së, Jean-Marie Le Pen dhe vajzës së tij, Marine pas deklaratave të fundit të themeluesit të cilësuara si “provokuese” dhe “vetëvrasje politike” nga kjo e fundit.
“Marine Le Pen është duke e hedhur në erë grupimin e saj. Jo unë, por është vetë ajo që po bën vetëvrasje, është ajo që po vepron kundër interesit të saj”, reagoi në radion RTL oratori i ekstremit të djathtë.
”Jam i shtangur dhe i trullosur përpara reagimit të vajzës sime”, theksoi Le Pen.
Presidentja e Frontit Nacional, Marine Le Pen përjashtoi dje pasdite, në një takim të jashtëzakonshëm të Zyrës Ekzekutive të kësaj partie, të thirrur prej saj, babain e saj, Jean-Marie Le Pen, 86 vjeç, i cili është themeluesi i grupimit të së djathtës ekstreme.
Në origjinë të konfliktit mes tij dhe Marine Le Penit është përsëritja nga ana e babait të deklaratave lidhur me dhomat e gazit, për të cilat ai është dënuar si edhe ruajtjen e kujtimit të mareshalit Philippe Petain, ish-Kryetar i Shtetit francez dhe artizan i bashkëpunimit me Gjermaninë naziste gjatë pushtimit të Francës në Luftën e Dytë Botërore.kohaislame