Gruevski pranon gjithçka, pos ta lë postin e kryeministrit

Vetëm tre ditë para takimit të liderëve, që do të jetë vendimtar për gjetjen e një zgjidhje, kriza politike në Maqedoni është thelluar edhe më shumë, raporton korrespondenti i “Kohës Ditore” nga Shkupi.
 
Më të paqartë situatën e ka bërë së fundmi vetë kryeministri Nikolla Gruevski, i cili në një intervistë për Financial Times, i ka thënë një ‘Jo’ të fuqishme kërkesës kryesore të opozitës për dorëheqjen e tij dhe formimin e një qeverie kalimtare. Ai ka thënë se është i gatshëm të pranojë propozimet e LSDM-së opozitare për ndarje të posteve kyçe në Qeveri në periudhën deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të prillit të vitit të ardhshëm, por as që do të bisedojë për ulësen e tij. “Me atë (kërkesën për dorëheqje) nuk pajtohem.
 
Vetëm qytetarët kanë të drejtë të tregojnë se kush do të hyjë në qeveri dhe kush të jetë në opozitë”, ka thënë Gruevski. Ai më tej ka shprehur gatishmëri të pranojë edhe kërkesat e tjera të opozitës, pikat e marrëveshjes së 2 qershorit, si dhe ndryshimet në Komisionin Shtetërorë Zgjedhor.
 
“Jemi të gatshëm të pranojmë shumë ide që do të rrisnin besimin e opozitës në procesin zgjedhor”, thotë Gruevski në intervistën e tij për Financial Times. Ai ka shprehur gatishmëri që t’i japë opozitës edhe poste mbikëqyrëse me të drejtë vetoje në katër ministri kyçe, atë të Punëve të Brendshme, Financat, Punë dhe Politikë Sociale dhe Ministrinë e Bujqësisë. Ndarja e posteve ministrore dhe emërimi i mbikëqyrësve të njërës parti në ministrinë që do ta udhëheq partia tjetër, jozyrtarisht mësohet se është shtruar edhe në tryezën e bisedimeve në takimet e fundit të liderëve të katër partive më të mëdha në vend. Por të gjitha këto detaje bien në ujë me vetë refuzimin e Gruevskit për të lëshuar postin e kreut të qeverisë, pasi LSDM-ja opozitare tanimë disa herë ka përsëritur se pa dorëheqjen e kryeministrit aktual nuk mund të ketë marrëveshje.
 
Ndërkohë, efekte negative në klimën politike pritet të kenë edhe proceset gjyqësore ndaj liderit të opozitës, Zoran Zaev. Javën e ardhshme ai do të paraqitet dy herë në gjykatat e Shkupit. Të mërkurën do të vendoset nëse do të shkojë në gjyq për akuzën që është ngritur ndaj tij për mitmarrje. Ndërkaq, gjatë ditëve në vazhdim gjykata e Shkupit do të vendosë nëse për rastin “Puç“ do të thirret seanca kryesore ose lënda do të kthehet për një hetim të ri.
 
Këto dy raste rrijnë të varura si presion mbi kokën e liderit të opozitës. Në rastin “Puç“ Zaev akuzohet për shantazhim të kryeministrit Gruevski me audiomaterialet nga bisedat e përgjuara, për çka kodi penal parasheh burg deri në 4 vjet. Në procesin tjetër Zaev akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Strumicës ka kërkuar mito 200 mijë euro nga një biznesmen lokal.
 
Të gjitha këto zhvillime kanë rënduar situatën në Shkup në prag të takimit të 29 qershorit, për të cilin opozita ka paralajmëruar se mund të dështojë nëse Gruevski nuk lëshon postin dhe nuk pranon formimin e një qeverie kalimtare.koha/.kohaislame
Artikulli paraprakObama bisedë telefonike me Presidentin rus Putin
Artikulli vijuesOliver Ivanoviqit i Zgjatet Paraburgimi