Lushnje, sherri për pronësinë, vritet para Gjykatës ish-polici

LUSHNJE- Konflikti për pronësinë i ka kushtuar jetën një ish-efektivi të Policisë së Lushnjes. Arben Sopjani, është rrahur barbarisht me mjete të forta nga 2 vëllezër, të cilët kanë përfunduar në pranga. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier, pohojnë se ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme para godinës së Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Lushnje. Mësohet se familjet Sopjani dhe Rustemi janë në konflikt që prej vitit 1999, pasi pretendojnë pronësinë mbi një pikë inertesh në fshatin Çermë.

NGJARJA
Viktima Arben Sopjani, nga fshati Shënepremte, baba i 2 fëmijëve, është sulmuar me mjete të forta nga dy vëllezërit Fatbardh dhe Alush Rustemi, banorë të fshatit Çermë, pas një seance gjyqësore për çështje pronësie. Vëllezërit Rustemi, sapo kanë lënë godinën e Gjykatës kanë debatuar me mbesën e Arbenit. Ky i fundit, ka dëgjuar që Fatbardh e Alush Rustemi po shanin mbesën e tij dhe ka ndërhyrë, por ata i janë përgjigjur duke e gjuajtur me mjete të forta në kokë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, por edhe nga policia e Lushnjes, viktima është goditur me mjete të forta në kokë, gjë që i ka shkaktuar hemorragji të brendshme. Kalimtarë të rastit dhe të afërm, e kanë marrë dhe e kanë dërguar menjëherë në spitalin e qytetit për ndihmë mjekësore, por 45-vjeçari nuk ka mundur që t’u rezistojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Trupi i tij i pajetë është dërguar në morgun e spitalit të Lushnjes, për t’iu nënshtruar ekzaminimit mjeko-ligjor.
HETIMET
Pas ngjarjes së rëndë, Policia e Lushnjes ka bërë të mundur arrestimin e dy vëllezërve Rustemi, si autorë të rrahjes së ish-policit 45- vjeçar, me pasojë vdekjen. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Fierit pohojnë paraprakisht, se konflikti mes familjes së viktimës dhe familjes Rustemi, ka ekzistuar prej vitesh. Palët kanë qenë në Gjykatë për një konflikt pronësie. Vite më parë, një prej vëllezërve Rustemi është rrahur e ka mbetur i paralizuar nga familja Sopjani, për shkak të një pike prodhimi inertesh në shtratin e lumit Shkumbin në fshatit Çermë, ku të dyja familjet pretendojnë pronësinë. Materialet në ngarkim të kësaj çështjeje, i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Fier, për hetime të mëtejshme, nga ku pritet të provohet edhe krimi i kryer nga 2 vëllezërit, Fatbardh dhe Alush Rustemi.bw/kohaislame

Artikulli paraprakËshtë i Vetëvendosjes?
Artikulli vijuesRaporti, shkeljet e të drejtave, Greqia e para në BE