Kur i kanë mbetur edhe gjashtë ditë nga përfundimi i mandatit për formimin e Qeverisë së re, VMRO-DPMNE-ja shpreson që pikërisht parimi i fituesit me fituesin, të jetë shtysë që ta dërgojë këtë parti edhe në një mandat tjetër bashkëqeverisje me BDI-në.
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se konsultimet mes dy partive vazhdojnë kurse gjatë ditëve të ardhshme priten takime të tjera mes Gruevskit dhe Ahmetit. Megjithatë ata bëjnë me dije se negociatat kanë ngecur në çështjen e gjuhës dhe Prokurorisë Speciale prandaj nuk është diskutuar për ndarjen e posteve të rëndësishme, përfshirë edhe postin e kreut të Kuvendit.
“Për momentin ka një parim të përbashkët i cili ka mbështetjen e të dy palëve dhe kjo është që koalicioni të formohet në pajtim me vullnetin zgjedhor të votuesve dhe partitë që kanë fituar besim më të madh te mbështetësit e tyre dhe vlerësoj se kjo pikë e vogël e përbashkët të mund të jetë e dobishme gjatë bisedimeve. Për momentin nuk ka bisedime sa u takon posteve, flitet për përmbajtjen e çështjeve të caktuara konceptuale ku ka qëndrime të kundërta por në ditët e ardhshme shpresoj se do të hapen edhe bisedime në aspektin e posteve të mundshme”, deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Pas takimeve që javën e kaluar zhvilloi kreu i BDI-së me Nikolla Gruevskin dhe Zoran Zaevin, BDI akoma nuk ka realizuar mbledhje të kryesisë së partisë, për të njoftuar anëtarët me detajet e takimeve.
“Kryetari Ahmeti vijon me konsultimet brendapartiake si dhe me grupe të ndryshme interesi dhe me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar euro-atlantik në vend, por edhe jashtë”, bëjnë me dije nga BDI.
Partia e Ali Ahmetit, së fundmi është deklaruar për opsionet për dalje nga situata midis të cilave është edhe respektimi i parimit “fituesi me fituesin”.