HAFIZ YMER SHEMSIU – Prishtinë 1895 – Sazli 1945

HAFIZ YMER SHEMSIU
Prishtinë 1895 – Sazli 1945

Pinjoll i një familjeje intelektuale hafizësh dhe haxhijsh, Ymer Shemsiu ndoqi mësimet e mesme fillimisht në medresenë e Prishtinës e pastaj në atë të Shkupit. Por për arsye madhore nuk arriti t’i përfundojë ato. Formimin fetar dhe intelektual të tij ai e vazhdoi në rrugë autodidakte. Me vullnet të patundur arriti të zotërojë disa gjuhë të huaja si: arabishten, persishten, turqishten, gjermanishten dhe serbishten. Krahas zotërimit të këtyre gjuhëve, ai u thellua edhe në studimet letrare e, në mënyrë të vçantë, në studimet filozofike, duke formuar kështu fizionominë e intelektualit të mirëfilltë islam. Titullin Hafiz ai e mbrojti publikisht në xhaminë e boshnjakëve.
Ymer Shemsiu është një figurë poliedrike. Ai ishte imam, poet, luftëtar, veprimtar, mësues. Në periudhën e Luftës së Parë Botërore Ymer Shemsiu hapi në fshatin Sazli një shkollë shqipe. Shkolla fatkeqësisht pati jetë të shkurtër. Pushtuesit bullgarë, kur hynë këtu, e mbyllën menjëherë këtë shkollë dhe mësuesin e saj shqiptar, Hafiz Ymerin, e lidhën me veriga dhe e burgosën në burgun e Ferizajt.
I ngritur nga ana botëkuptimore islame, botëkuptim që e respekton lirinë dhe lufton për te, Hfz.Ymeri, i mbrujtur me dashuri për kombin, u aktivizua në shërbim të Komitetit për çlirimin Kombëtar të Kosovës dhe bëri pjesë në partinë politike shqiptaro-myslimane “Bashkimi”, që kryesohej nga Ferhat Draga. Në këtë kohë, Hfz.Ymeri shpërtheu me tërë përsonalitetin e tij, bashkëpunoi me lëvizjen kaçake kombëtare, këndoi me çifteli këngë që evokojnë të shkuaren e lavdishme të kombit, formuloi ilahi dhe thuri poezi me metrika të ndryshme, por ku mbizotëron vargu popullor.
Një aspekt tjetër i veprimtarisë së Hfz. Ymer Shemsiut është edhe organizimi i mësimit të gjuhës shqipe fshehurazi. Në xhaminë e Talimocit, ku shërbente si imam i saj, ngriti Komitetin e Kosovës. Në këtë kohë ai jepte mësimin e gjuhës shqipe fshehurazi dhe, në të njëjten kohë, mbante dhe mejtepin. Mësimin, në lokalin e ngritur nga vetë populli, e vazhdoi që nga viti 1934 deri me 1941. Në këtë mejtep, Hfz.Ymeri zhvilloi një punë pedagogjike përtej programit që zhvillohej në mejtep. Përveç shkrim-leximit në gjuhët orientale, ai u mësoi nxënësve dhe shkrim-lexim në gjuhën amtare shqipe dhe i përgatiti ata me njohuri dhe aftësi të vlefshme për jetën e përditshme.
Në veprimtarinë e tij zë një vend të rëndësishëm edhe krijimtaria si rapsod i talentuar. Talenti i rapsodit kronikan shoqërohej nga virtuoziteti i tij si vallëtar i shkëlqyer. Ai i hartonte vetë këngët, i këndonte me çifteli dhe i kërcente me lëvizje karakteristike shqiptare. Protagonistë dhe tema të rapsodive dhe të këngëve të tij qenë heronjtë e kombit, betejat, bëmat e ndryshme, duke na dhënë kështu tabllo realiste të kohës. Nga krijimtaria e tij spikat poema “Nazmi Gafurri”.
Për këto cilësi, Hfz.Ymer Shemsiun studuesit e quajtën “Bard i Kosovës”. “Bardi i Kosovës” e sfidoi policinë serbe duke u mësuar shqip nxënësve dhe popullit, duke shkruar shqip dhe duke shtypur shqip. Ai hartoi rreth 30 ilahi shqip, që kapin rreth 1000 vargje dhe përçoi te nxënësit dhe populli besimin islam. Ai ka një qëndrim të prerë dhe një mendim të qartë për bashkimin e popullit, për luftën kundër përçarjes fetare dhe asaj kombëtare.”Të mbrosh fenë islame për kohën e poetit ishte luftë për kombin shqiptar, ta mbrosh gjuhën shqipe ishte heroizëm kombëtar, të përpiqesh për lirinë, ta ndihmosh rezistencën shqiptare kundër denacionalizmit të Kosovës, kundër shpërnguljes së shqiptarëve, ishte luftë patriotike, ishte sakrificë e heroizëm kombëtar”. Hfz.Ymeri ishte për një Shqipëri etnike. Ai mori pjesë aktive për realizimin e kësaj ideje, duke ngjallur armiqësinë e pushtetit serb ndaj tij. Vdiq në mënyrë të dhëmbshme, por të madhërishme, që konkretizohet në fjalët e fundit të tij: “Lamtumirë o populli im! Për ty dhashë atë që mund ta jepnja: pasurinë, familjen, veten. Për ty do të vijnë ditë më të mira”.

Artikulli paraprakARIF SHALA – Vëllezër mos e braktisni Drenicen
Artikulli vijuesMULLA HYSEN LATIFI – Themelues i Qendrës Shqiptare Islame në Bruksel