Një debat mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Shëndetësisë për rastin e fëmijës Kristi Maze i cili vuan një problem në mëlçi është acaruar duke çuar deri në përdorimin e ofendimeve personale.
Deputetja e PD-së Albina Deda kërkoi të ndihmohet djaloshi 10 vjeçar për të transplantuar e mëlçinë, por ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se djali ishte në listën e pritjes por se rasti nuk zgjidhet me transplant të pjesshëm dhe kërkoi nga PD të mos bëjë politikë me fatkeqësinë e një familjeje.
Në një moment ndërsa Deda po fliste nga karrigia e saj, ministri Beqaj ndërhyn dhe jashtë mikrofonit përdor etiketimin “kafshë” .
Kjo bëri që deputetja të kërkojë ndërprerjen e seancës dhe t’i kërkojë kuvendit mbledhjen e Byros për të marrë masa ndaj ministrit ose të kërkojë falje publike
“Nuk ka seancë pa ardhur ministri me më kërku falje. Byroja e Kuvendit të mblidhet të marrë masë. Fjala kafshë në sallën e parlamentit nuk është e duhur” tha Deda.
Në mbështetje të saj janë ngritur dhe deputetët e tjerë të opozitës.
Nënkryetari i Kuvendit Edmond Spaho urdhëroi ndërprerjen e seancës duke shtuar se kërkesën e PD-së do e përcjell tek Byroja e Kuvendit.