Hapet në Shkup “Panairi i 27-të i Librit”

Në Galerinë në Metropolis Arena do të ketë ambinet promovues, ku do të promovohen titujt e rinj të këtij viti. Risi është se do të ketë ditë tematike të cilat çdo ditë do të jenë të ndryshme.
 
 
Mbi 70 botues nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Serbia, Suedia dhe Italia do të prezantohen në “Panairin e 27-të Ndërkombëtar të Librit”, i cili zyrtarisht u hap sot dhe do të zgjasë deri më datë 11 maj të këtij muaji në Panairin e Shkupit, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Në Panair do të ekspozohen vepra letrare bashkëkohore dhe klasike, literaturë profesionale, shkencore dhe beletristikë, libra dhe manualë shkollor, si dhe enciklopedi dhe vepra nga fusha e kulturës dhe artit. Në Galerinë në Metropolis Arena do të ketë ambient promovues, ku do të promovohen titujt e rinj të këtij viti. Risi është se do të ketë ditë tematike të cilat çdo ditë do të jenë të ndryshme. Programi tematik përfshin “Ditën e poezisë maqedonase”, “Dita e artit të ekranizuar”, “Ëndërrojmë yje” dhe “Promovimi i autorëve të rinj”.
 
Ministrja e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Elizabeta Kançeska-Milevska, në hapjen zyrtare të Panairit tha se ky manifestim padyshim tregon domosdoshmërinë e librit në kontekst më të gjerë shoqëror, e cila synon zhvillimin dhe ngritjen e nivelit të kulturës së përgjithshme intelektuale në mjedis, si një parakusht i domosdoshëm për çdo lloj progresi.
 
“Panairi i Librit me traditën e tij gati prej tre dekadash, ka prekur ndjeshëm perceptimin tonë mbi rëndësinë e librit dhe arriti të përcjellë mesazhin themelor të letërsisë, jetëgjatësisë dhe bukurisë së letërsisë nga vepra të autorëve maqedonas dhe të autorëve nga e gjithë bota”, tha Kançeska-Milevska.
 
Ajo shtoi se Maqedonia është një nga vendet e pakta në botë, e cila me shumë kujdes mbështet botimet dhe aktivitetet letrare, ndërsa më tej deklaroi se: “Që nga viti 2008 deri më tani janë lëshuar nga 4.200 libra dhe botime në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën e përkatësive tjera etnike, ndërsa të blera janë mbi 47.000 botime, me të cilat vazhdimisht pasurohet Fondi i Bibliotekave në të gjithë institucionet e vendit”.
 
Orari i punës së Panarit të Shkupit do të jetë prej orës 10:00 deri në orën 20:00, ndërsa në hollet e tjera të Panairit prej datës 7 deri më 9 maj do të mbahen manifestime të Panairit-Shkup travel market, Ditë të arsimit dhe karrierës dhe Viz Er Shkup Maraton ekspo.
Artikulli paraprakFranca nënshkruan marrëveshjen me Katarin për shitjen e 24 avionëve luftarakë Rafale
Artikulli vijues100 ditët e Kingut Selman