Harta e rrugës për në Xhennet

Harta e rrugës për në Xhennet

Ecni nëpër bulevardin “Ademi dhe Hava” deri sa të arrini në udhëkryqin e udhës së Habilit dhe të Kabilit. Ktheni në të djathtë në Habil dhe vazhdoni 32 kilometrat e ardhshme deri sa të arrini te “Anija e Nuhut”.
Hypni në anije dhe lundroni deri sa të arrini në “Tokën e sigurtë”. Injoroni shumicën e drejtimeve që ua japin Agjencitë turistike dhe arrini në Superautostradën e Ibrahimit po ashtu e njohur si autostrada “Vetëm Një Zot” (1).
Përcjellni Ibrahimin, por largohuni daljeve për në qytezat e Sodomës dhe Gomorrës deri sa të arrini në Rrugën e Isaut (dhe Mëshirës). Këtu do të ballafaqoheni me shumë huti: rrugët nuk janë mirë të shënuara dhe shumë shitës përgjatë rrugës shpërndajnë harta me drejtime kundërta. Romakët e kanë riemërtuar “Sokakun e Paganëve” si “Rruga e Isaut” (dhe Mëshirës).
Në qoftë se nuk jeni të sigurtë për autenticitetin e “Rrugës së Isaut” (dhe Mëshirës), kontrolloni hartën tuaj dhe shihni se a është Rruga e Isaut (dhe Mëshirës) në vazhdim të Superautostradës së Ibrahimit. Në qoftë se është vazhdim i saj atëherë jeni në rregull por, përsëri vazhdoni me kujdes. Në qoftë se jeni larguar, atëherë bëni një U kthyerje prapa dhe kthehuni në autostradën e Ibrahimit dhe përpiquni sërish prej aty.
Vazhdoni në Rrugën e Vërtetë të Isaut. Në qoftë se nuk i shihni shenjat vijuese përgjatë rrugës, duhet të ndaleni dhe ta kontrolloni hartën përsëri. Hartat për këtë drejtim janë ndërruar, andaj e rekomandojmë botimin e Barnabës të Hartave Rrugore për të arritur në tubimin e “Njëshmërisë së Zotit”, “Këndin e Shtatzënisë së Pastër”, dhe qendrën shoqërore “Duajeni fqiun tuaj”.
Shmanguni që t’ja tregoni policisë romake të trafikut hartën tuaj të Barnabës se është e ndaluar. Ata do ta konfiskojnë dhe do të jeni të detyruar ta përdorni versionin e vetëm të autorizuar të hartës rrugore, atë të Palit e cila ka qenë e përpiluar që ti drejtojë udhëtarët për në Romë. Për këtë shkak, ka shumë trafik në këtë rrugë. Në anën tjetër, Rruga e vërtetë e Isaut gjindet në hartën rrugore të Barnabës, por vetëm disa njerëz kanë mundësi për ta parë këtë hartë.
Përmbajuni Rrugës së Isaut (dhe Mëshirës) derisa ta gjeni ekspres rrugën e Sunnetit të Muhammedit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem). Qëndroni në këtë ekspres rrugë dhe mos lejoni të josheni në zonat e pushimit përgjatë ekspres rrugës. Keni kujdes prej plaçkitësve (shejtanit) në autostradë, duke e siguruar veturën tuaj me sistemet e sigurimit “Dhikër” (përmendja e All-llahut). Të gjitha veturat e siguruara me sistemin e sigurimit “Dhikër” do të jenë të siguruara prej sulmeve të plaçkitësve.
Duhet të jeni të sigurtë se keni lëndë djegëse në sasi të mjaftueshme. Lënda djegëse e shkallës më të lartë për këtë udhëtim të gjatë dhe lodhës është ajo e shkallës Takva. Pa dyshim kërkoni vetëm prej këtij lloji kur të ndaleni për mbushje. Lehtësoni barrën e veturës suaj dhe mbani vetëm gjërat më të nevojshme për këtë udhëtim: dy metra të materialit të bardhë dhe veprat e mira dhe lutjet e fëmijëve tuaj janë e tëra që ju nevojitet. Lejohet më tepër bagazh vetëm nëse është prej të lartëpërmendurës. Gjërat tjera vetëm do t’ju ngadalësojnë ose do t’ua mjegullojnë destinacionin tuaj për ku jeni nisur, dhe me këtë po ashtu rrezikoni të humbni mbulesën e sistemeve siguruese “Dhikër”. Si rezultat i kësaj bëheni cak i lehtë për plaçkitësit.
Duhet që rregullisht kohë pas kohe të kontrolloni karakteristikat mbrojtëse të veturës suaj duke lexuar udhëzuesin e veturës suaj – Kur’anin e Shenjtë. Drejtuesin e veturës suaj duhet ta kalibroni me metodën e Sunnetit për kalibrim, akumulatorët duhet të mbushen me Iman, motori duhet të akordohet me Ihlas kurse rrotat tuaja duhet të jenë të fryera me Ihsan. Më me rëndësi prej të gjitha këtyre gjërave është se duhet ta testoni veturën tuaj me listën kontrolluese të Tevhidit.
Nuk është me rëndësi në qoftë se shumica e pjesëve në veturën tuaj funksionojnë si duhet, po nëse vetëm një pjesë në veturën e juaj nuk funksionon në përputhshmëri me kushtet e Tevhidit, vetura e juaj do të prishet dhe përsëri plaçkitësit do t’ua marrin atë që ka mbetur. Mirëqenia e veturës suaj varet prej punës së pjesës më të dobët në veturën tuaj, ashtu që në mënyrë rutinore kontrolloni këto pika të dobëta, përndryshe mund të jenë të dëmshme për udhëtimin tuaj.
Ka mjaft “gurë kilometrazhi” në rrugën e Muhammedit, të cilët do t’u bindin se jeni në rrugë të drejtë. Mos t’ju brengosë ajo se nuk ka shumë njerëz në këtë rrugë. Fakti se jeni vetëm në këtë rrugë mos t’ju shtyej të mendoni se jeni duke udhëtuar në drejtim të gabuar në një rrugë njëkahëshe. Dashuria ndaj All-llahut më shumë se ndaj çdo gjëje tjetër, dashuria ndaj Muhammedit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) dhe Sahabëve (bashkëshokëve të tij), të cilët e përkrahën kur ishte i shtypur, duke i përcjellur të gjithat mësimet e tij, duke iu përgjigjur me durim dhe pranim të mungesës së të mirave të kësaj bote (urisë dhe humbjes së anëtarëve të familjes) janë vetëm disa prej gurëve të kilometrazhit dhe lajmeve të mira që jeni në rrugën e drejtë.
Kjo rrugë është po ashtu e shtruar me dhimbje, punë të rëndë, ndeshje me vetveten, me të tjerët dhe me Iblisin, plaçkitësin dhe të gjitha gjërat të cilat nuk janë tërheqëse për shpirtin. Asnjëherë mos u tregoni i shkujdesur, por qëndroni syhapur, ky udhëtim nuk mbaron derisa me të vërtetë mbaron.
Mbajeni Dhikrin si rojë tuajën. Gjithashtu edhe veprat e mira dhe gjuhën tuaj dhe mos e humbni cakun e asaj për ku jeni nisur, me qëllim që ta përballoni dhimbjen e këtij udhëtimi. Në mbarim do të arrini në dyert e destinacionit tuaj El-Xhennah, do ta harroni tërë dhimbjen.

XXX,
21.10.2000

Artikulli paraprakTeoria e Ajnshtajnit dhe Kurani
Artikulli vijuesMiqësia