HAFIZ ALI KORÇA – Hoxha i Përndjekur

0
224

HAFIZ ALI KORÇA
Hoxha i Përndjekur

Midis hoxhallarëve të përndjekur nga pushtuesit, nga fanatikët dhe komunizmi për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre është dhe Hafiz Ali Korça. i rritur në një mjedis patriotik, fetar e kulturor Korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime bazë, që e ngriten lart emrin e tij. Për këto ai, në vitin 1893, kur ishte në moshën 20 vjeçare, u internua në Sinop, sepse ndërsa udhëtonte me trenin Sofie-Stamboll, iu kapen librat shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua në Anadoll, për aktivitetin në mësonjëtoren e Korçës. Pas Kongresit të Dibrës ia shkatërruan shtëpinë. Më pas, Kabineti i Telat Pashës e dënoi me vdekje, por me ndërhyrje u fal. Më 1924 u përjashtua nga Këshilli i Lartë i Sheriatit. Më 1925 botoi në Tiranë pamfletin “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”.
Hfz. Ali Korça zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës. Ai ka shkruar një varg veprash origjinale në prozë e poezi fetare dhe laike. Ndër to shquhen:
“Mevludi” (1900). “303 fjalë të Imam Aliut” (Botuar në Korçë më 1910). “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” (Botuar në Tiranë më 1931, fq.288). “Jusufi me Zelihanë” (Botuar në Elbasan më 1923). “Gjylistani”, përkthim nga Saadiu, (1918). “Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë”, poezi, (Botuar në Tiranë më 1944). “Tefsiri i Kur’anit”, (mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, R.Z.) punuar gjatë viteve 1920-1924. “Rubaijjati Khajjam”(Hajjam, përkthim nga O. Kajami, 1930- Ribotim 1942 në Tiranë).
Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu edhe tekstet shkollore si : “Abetare shqip” (1910). “Fe Rrëfenjësi, morali” (1914). “Gramatika, Syntaksa shqip—arabisht edhe fjalime”, (1916). Hafiz Ali Korça ka lënë edhe një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh e përkthimesh.
Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat si “Gjylistani”, “Rubairat” si dhe “Jusufi me Zelihane”, i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj si Saadiun, O.Kajamin etj.
Hafiz Ali Korça qe ndër mësuesit e parë të mësonjëtores së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Aty dha pa pagesë edukatë islame . Pas shpalljes së Pavarësisë, iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Qe këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i kësaj Ministrie, Shef i Fetva-minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës etj.
Gjatë jetës së tij Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë: Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica etj.
Jeta e tij është një shembull i përsosur i atdhetarit të devotshëm, që nuk ndan fjalën nga veprat e poetit që fton bashkëpunëtorët të punojnë për mëmëdheun, të mos e braktisin.