Helmohen 6 oficerë të ROSU-së, shkarkohen kuzhinierët

Gjashtë pjesëtarë të njësisë speciale (ROSU) të Policisë së Kosovës, dyshohet të jenë helmuar të enjten mbrëma gjatë darkës në bazën e tyre ‘Belveder’ në Mitrovicë.

Ata janë paraqitur mbrëmë në spitalin rajonal të Mitrovicës ku edhe janë trajtuar, ndërsa mësohet se ankesa të njëjta kanë pasur edhe disa policë tjerë të kësaj njësie, njofton “Lajmi i Fundit”.

Pas njoftimit për dyshim të helmimit të policëve, kampin e kanë vizituar të premten inspektorët të cilët kanë marrë mostrat për t’i analizuar shkaqet e këtij helmimi të mundshëm.
“Inspektorët kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë mostrat të cilat i kanë dërguar në Institutin e Prishtinës për analiza të detajuara”, ka thënë kryeinspektori, Lulzim Zeqiri.
Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka konfirmuar se disa pjesëtarë të ROSU-së kanë shprehur shqetësimin e tyre për helmim, të cilët janë dërguar tek mjeku dhe pas marrjes së ndihmës së parë janë lëshuar në shtëpi.

Në anën tjetër, edhe drejtori i spitalit rajonal ‘Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, Agim Peci, ka thënë se 5-6 policë të Kosovës janë paraqitur mbrëmë në repartin e internos me ankesa të helmimit dhe pas trajtimit nga ana e mjekëve, ata janë liruar në gjendje shëndetësore stabile.
Mësohet se pas këtij rasti, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka urdhëruar rinovimin e tërësishëm të kuzhinës në kampin ‘Belveder’. /kohaislame/

Artikulli paraprakShkup, protesta masovizohet në mbi 10 000 qytetarë
Artikulli vijuesFacebook mund ta bëjë Zuckerbergun më të pasurin në botë