Në gjykimin e Gani Gecit dëshmitari rrëfen për vrasjen “N’Qosh”

0
196
Në objektin e ri të Gjykatës Themelore të Mitrovicës me seli në Vushtrri është mbajtur sot seanca e gjykimit të Gani Gecit që akuzohet për vrasje të Ruzhdi Shaqirit më 4 gusht 2014 në Skenderaj.
 
Në gjykatore dëshmoi  Afrim Rama që ishte në të njëjtën tavolinë me Ruzhdi Shaqirin, në lokalin ku ndodhi vrasja e Shaqirit.
 
Prokurorja Vahide Badivuku e pyeti Afrim Ramën se a e kishte parë më herët në këtë lokal të akuzuarin Gani Geci.
 
“Unë nuk e kam parë më herët Gani Gecin për shkak se kam qenë i ulur me shpinë nga dera dhe e kam parë për herë të parë kur i ndjeri Ruzhdi Shaqiri i ka thënë dikujt selam alejkum dhe jam kthyer me e kqyr se kujt po i thotë,” deklaroi dëshmitari.
 
Më pas prokurorja kërkoi të dijë nëse dëshmitari ka vërejtur se diçka është duke ndodhur mes tyre.
 
“Jo nuk kemi vërejtur për shkak se janë kanë në pyetje 6-7 sekonda dhe sikur të kishim vërejtur diçka nuk do ta kishim lënë me ardhë deri te vrasja,”.
 
Ai përshkroi atë që ka bërë në momentin kritik.
 
“Na jena çu në kambë dhe jena largu nga tavolina, ndërkaq i ndjeri Ruzhdi ka rënë në tokë,” tha dëshmitari.
 
Vrasja e Ruzhdi Shaqirit ndodhi më 4 gusht 2014 në lokalin e quajtur “N’Qosh” në Skenderaj, ndërsa KALLXO.com-i siguroi aktakuzën për këtë vrasje.
 
Dëshmitarit pastaj pyetje i shtroi edhe Gani Geci, i akuzuari për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
 
Geci e pyeti dëshmitarin nëse kishte parë që disa gota në tavolinën ku ishte edhe tani i ndjeri ishin rrëzuar, pasi pretendonte se Ruzhdi Shaqiri kishte shtyrë tavolinën në përpjekje për ta nxjerrë revolen.
 
“Jo nuk i kam parë [gotat e rrëzuaara],” tha Rama.
 
Kryetarja e trupit gjykues Kada Bunjaku-Përquku e pyeti dëshmitarin nëse i vrari Shaqiri kishte me vete ditën kritike diçka të dyshimtë.
 
“E ka pasë një çantë prej të cilës e ka nxjerrë telefonin, po nuk e di se çka ka pasë tjetër në të,” tha dëshmitari.
 
Pyetje dëshmitarit i shtroi edhe prokurorja Vahide Badivuku. E pyeti nëse Gani Geci dhe Ruzhdi Jashari ishin sharë mes vete, para se të ndodhte vrasja.
 
“Jo nuk i kam dëgjuar,” u përgjigj Rama.
 
Para se të dëshmonte Afrim Rama, prokurorja Badivuku lexoi aktakuzën, ndërsa Gani Geci u pyet nga gjyqtarja Kada Bunjaku-Përquku se si e ndien veten në lidhje me akuzat për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së rënddë mendore dhe armëmbajtje pa leje.
 
Geci tha se ndihej i pafajshëm për akuzën e parë, ndërsa pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.
 
Në këtë seancë ishte paraparë të dëshmonin edhe gruaja dhe vëllai i Ruzhdi Shaqirit, por ata nuk ishin të pranishëm, edhe pse gjykata ua dorëzoi ftesat për paraqitje, por nuk mundi të kontaktojë me ta.
 
Pas seancës, Ndrec Dodaj, avokati i Gani Gecit tha për KALLXO.com se po pret se si do të shkojë rrjedha e seancës.
 
“ Si zakonisht u lexua akuza, u deklaru i pandehuri, u paraqitën fjalët hyrëse dhe gjithashtu u dëgjua edhe një dëshmitar, ndërkaq seancat e ardhshme janë caktu për datat 22, 23 dhe 24 qershor dhe do shohim më tutje si do të shkojë rrjedha e procedurës”, tha Dodaj.
 
Procesi kundër Gani Gecit nisi më 14 janar 2015 nën masa të rrepta sigurie.
 
 
 
Nga dita e vrasjes së Ruzhdi Shaqirit më 4 gusht 2014 e deri më 22 gusht 2014 kur iu dorëzua EULEX-it, Gani Geci konsiderohej i arratisur.kohaislame