Heshtja mediatike si formë manipulimi

Enes Neza

Një nga mënyrat e manipulimit të audiencës që përdorin mediat e mëdha është edhe ‘heshtja’, pra mos informimi rreth atyre gjërave për të cilat populli supozohet se duhet të jetë në dijeni.

E njëjta teknikë po përdoret aktualisht edhe me rastin e përpjekjes së dështuar për grusht shteti në Turqi. Që prej natës famëkeqe të 15 korrikut ku ranë dëshmorë mbi 260 vetë në mbrojtje të vendit të tyre, mediat kryesore në perëndim, e po ashtu edhe ato shqiptare, kanë dezinformuar ose kanë fshehur informacione rreth asaj që po ndodhte realisht në Turqi.

Asnjë media nuk ka raportuar mbi sakrificat që bëri populli atë natë, për qëndresën e paepur përballë tankeve të ushtrisë, për unitetin e pashoq nga lindja në perëndim të Turqisë. Madje, edhe pritshmëritë e tyre se kurdët në lindje dhe jug-lindje të vendit do të ishin pro-grushtit dolën huq. Kurdët iu përgjigjen thirrje së presidentit të Turqisë dhe mbushën rrugët e qyteteve. Ndanë gezimin e fitores me vëllezërit dhe bashkëkombasit e tyre turq. Me fjalë të tjera, u rreshtuan të gjithë nën flamurin turk. Por kjo nuk ka si të raportohet në mediat mainstream, pasi shkon kundër narrativës që e përshkruan shoqërinë turke si të ndarë në tarafe. Për mbi tre javë rresht populli turk ka mbushur rrugët dhe sheshet e qyteteve turke, duke qëndruar si ushtari në shërbim të vendit. Por mediat keto nuk i kanë raportuar.

Kjo ‘heshtje mediatike’ po vazhdon edhe gjatë ditës së sotme.

Në këto momente në Stamboll, Turqi, po mbahet një nga tubimet më madhështore në përkujtim të dëshmorëve të rënë gjatë përpjekjes për grusht shteti më 15 korrik. Flitet për një pjesëmarrje prej 5 milion njerëzish nga e gjithë Turqia, nga të gjithë krahët politikë, tubimi më i madh që prej datës 15 korrik. Pra, me fjalë të tjera një ngjarje e jashtëzakonshme, e cila në kushte normale nuk ka si t’i shpëtojë vëmendjes së mediave botërore.

E megjithatë, ashtu siç pritej tek e fundit, asnjë lajm/heshtje totale për këtë event madhështor nga mediat kryesore perëndimore, përfshirë dhe ato shqiptare. Asnjë media nuk po e mbulon momentalisht këtë ngjarje. Arsyeja është e thjeshtë: nuk duan të shfaqin imazhe të një vendi të bashkuar, i cili ka tejkaluar dallimet partiake, e ka dalë sëbashku në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të tyre, por edhe për të nderuar të rënët e tyre, të cilët dhanë jetën që vendi të mos shkonte në kaos, apo në ndonjë luftë civile, siç ishte planifikuar nga arkitektët e grushtit të shtetit.

Këto janë vetëm disa nga mediat që kontrollova personalisht:
– BBC, kishte vetëm një video të shkurtër, të pashoqëruar me shkrim sqarues.
– CNN, asnje lajm.
– The Independent, asnje lajm
– The Guardian, asnje lajm

Ndërkohë abc, manipulon me numrin e pjesëmarrësve duke raportuar për disa mijëra pjesëamarrës të shoqëruar me foto me kënd të ngushtë. Sikur të mos mjaftonte kjo, Reuters dhe disa media të tjera, të cilat e kanë prekur përcipazi këtë ngjarje, e kanë konsideruar këtë tubim si ‘inskenim’ të presidentit Erdogan për t’i treguar botës unitetin e popullit.

Situata është e njëjtë edhe në mediat shqipfolëse. Askush nuk raporton asgjë.

Artikulli paraprakGjuha prej rrugaçi dhe niveli i injorancës së deputetit katolik ekstremist Eduart Ndocaj
Artikulli vijuesNga Ervin HATIBI: Pashallarë të kuq dhe blu: mbi islamizimin me dhunë të armikut në diskursin publik shqiptar (viti 2005)