Het-trik Ronaldo dhe Reali kalon një kundërshtar të madh

0
199
Real Madridi nuk i ka shënuar tetë gola, mirëpo ka kaluar një pengesë shumë të madhe në garën për titullin e La Ligas. Mbretërit mposhtën Sevillan në udhëtim me rezultat 3-2.
Në takimin e zhvilluar në Estadio Ramon Sanchez Pizjuan, njeriu i ndeshjes ishte superylli portugez, Cristiano Ronaldo, i cili i shënoi të tre golat e skuadrës mysafire.
 
Marcelo pasoi te Isco, spanjolli dërgoi një krosim të mirë në zonë dhe portugezi shënoi me kokë golin e parë të ndeshjes (36’).
 
Shumë shpejt erdhi goli i dytë i 30-vjeçarit (37’). Kësaj radhe asistoi Chicharito.
 
Në minutat shtesë të gjysmës së parë (45’+2), Carlos Bacca shënoi nga penaltia për t’u dhënë shpresa andaluzianëve.
 
Cristiano kompletoi het-trikun në minutën e 68-të falë një harkimi të mirë të Gareth Bale. Ky ishte goli i 42-të këtë edicion në La Liga për Ronaldon.
 
Për të mos i lënë të qetë Mbretërit deri në fund u kujdes Vicente Iborra, i cili shënoi golin e dytë të vendasve (79’).
 
Megjithatë, fitorja i takoi Real Madridit që i qëndron dy pikë pranë Barcelonës që këtë xhiro shkeli Cordoban me rezultat 8-0. /Telegrafi/