Hetimet ndaj pesë të arrestuarve në afërsi të liqenit të Badovcit në verë të këtij viti janë afër përfundimit, ka thënë një prokurore e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Drita Hajdari, e cila është duke e hetuar rastin në të cilin pesë të arrestuarit dyshohen për terrorizëm, ka thënë se organi i ndjekjes është duke pritur disa ekzaminime nga Agjencia e Forenzikës për ta kompletuar dosjen ndaj këtyre të arrestuarve.
Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj dhe Fehmi Musa ishin arrestuar nga Policia e Kosovës në mesnatës e 11 korrikut në afërsi të liqenit që furnizon me ujë një pjesë të Prishtinës, nën dyshimin se ishin duke përgatitur një akt terrorist te diga e liqenit.
Që nga atëherë, liqeni është vënë nën masa të shtuara të sigurisë.
“Hetimi është në fazën përfundimtare, jemi duke i pritur edhe disa ekzaminime nga Agjencia e Forenzikës. Unë nuk mund ta përfundoj rastin deri sa t’i marrim ato, me vetë faktin që kemi sekuestruar disa pajisje elektronike dhe ato duhet të verifikohen, përndryshe jemi në përfundim e sipër”, ka thënë prokurorja Hajdari për KALLXO.com.
Ndërsa avokatja Sabrije Jashari, mbrojtëse e njërit nga të dyshuarit ka thënë se nuk është në dijeni për fazën aktuale të hetimeve.
Ajo ka shtuar se së fundi ka pasur një kërkesë të refuzuar nga Gjykata e Apelit lidhur me masën e paraburgimit për të mbrojturin e saj.
Ndërsa avokati tjetër, Bajram Tmava, thotë se është në pritje të veprimit të prokurores në këtë rast.
“Përderisa është vepra me këtë kualifikim nuk do ta kundërshtoj masën e paraburgimit. Unë e kam kundërshtuar dyshimin e bazuar lidhur me këto vepra dhe e kundërshtoj edhe tani por të shohim se si do të veprojë prokurorja”, ka thënë Tmava.