Presidenti rus, Vladimir Putin është i korruptuar. Ky është konkluzioni i një hetimi të ndërmarrë nga Thesari amerikan i Shtetit, sipas asaj që bën të ditur BBC.
Qeveria amerikane ka vendosur deri më tani sanksione ndaj ndihmësve të Putinit, por kjo është hera e parë që Departamenti i Thesarit e akuzon drejtpërdrejt atë për korrupsion.
Zëdhënësi i presidentit rus ka reaguar menjëherë, duke thënë se “asgjë prej këtij dyshimi apo çështjeje nuk meriton vëmendje apo justifikim, pasi ky konkluzion është një trillim i pastër”. Megjithatë, javën e kaluar, një hetim publik i kryer në Britaninë e Madhe doli në përfundimin se Putin “me shumë mundësi” miratoi eliminimin e ish-spiunit të KGB-së, Alexander Litvinenko.
Litvinenko, ish-agjent i Shërbimeve Federale ruse të Sigurisë (FSB) dhe kritik i ashpër i Putinit, u helmua në Londër me substancën radioaktive të poloniumit në vitin 2006.
Adam Szubin, i cili mbikëqyr sanksionet e Thesarit amerikan të Shtetit, është shprehur për britaniken BBC se, presidenti rus është i korruptuar dhe se qeveria amerikane e dinte këtë gjë prej “vitesh e vitesh të tëra”.
“E kemi parë teksa pasuron miqtë e tij, aleatët më të afërt, dhe teksa margjinalizon ata që nuk i konsideron si miq të përfitojnë apo të përdorin asetet shtetërore ruse. Qoftë pasuritë energjetike të Rusisë, apo edhe kontratat e majme shtetërore, ai ua drejton ato njerëzve më të besuar të tij, të cilët beson se do t’i shërbejnë, dhe përjashton ata që nuk i hyjnë në punë. Për mua, kjo është një panoramë e qartë korrupsioni”, thotë Szubin.
Qeveria amerikane vendosi sanksione ndaj një numri të konsiderueshëm personash të afërt me Kremlinin në vitin 2014, si dhe doli në konkluzionin se Vladimir Putin kishte investime sekrete në sektorin energjetik. Gjithsesi, amerikanët nuk e akuzuan drejtpërdrejt atë për korrupsion në atë kohë.
Sanksionet, të cilat më tej u zgjeruan duke përfshirë më shumë individë dhe organizata, koinçidojnë me masat e ndërmarra nga Bashkimi Europian kundër Rusisë. Shkak i tyre u bë aneksimi i Krimesë nga Rusia, për shkak të trazirave politike në Ukrainë.
Zyrtarë të qeverisë amerikane kanë qenë të përmbajtur, kur janë pyetur në lidhje me pasurinë e Presidentit Putin, por Szubin, ndryshe nga ata, pranoi të merrte pjesë në programin investigativ të BBC-së mbi këtë çështje. Gjithsesi, ai nuk ka dashur të komentojë mbi raportin sekret të CIA-s në vitin 2007, sipas të cilit pasuria e Putinit shkon në rreth 40 miliardë dollarë. Por, e tha qartë se presidenti rus ka grumbulluar një pasuri të konsiderueshme që e mban të fshehur.
“Supozohet se ai merr një pagë shtetërore prej rreth 110 mijë dollarësh në vit. Kjo nuk është një deklaratë e saktë e pasurisë së tij, megjithatë thuhet se ai prej një kohe të gjatë është trajnuar dhe po praktikon metoda të fshehjes së pasurisë së tij reale”, deklaroi Szubin.
Kremlini i hedh poshtë të tilla akuza. Në vitin 2008, Presidenti Putin iu adresua personalisht pretendimeve se ai është njeriu më i pasur në Europë, duke thënë se “kjo është thjesht diçka e tepërt. Ata që flasin për këtë gjë thjesht sa shfrytëzojnë diçka të paverifikuar dhe e përhapin atë nëpër media të ndryshme”.