Himni i flamurit dhe strofat e harruara

28 vs 29 nëntori, tashmë njerëzit janë ndarë në dy pjesë. 5 Heronjtë e Vigut u rivendosën në Shkodër dhe politika festoi e ndarë. Ardhja në fuqi e komunizmit la në heshtje shumë gjëra. Për ato gjëra sapo ka filluar të flitet, por gjithmonë në skaje. Njerëz dhe figura të margjinalizuara nga historiografia komuniste e indoktrinuar nga një ideologji ateiste ekstreme, e cila i shuante apo i nxirrte në harresë për t’i larguar nga kujtesa kolektive e popullit. Rasti në fjalë është vetë himni i Flamurit, tek i cili u aplikua kjo ideologji.

 Pak histori

“Himni i Flamurit” ose siç njihet rëndom “Rreth Flamurit të Përbashkuar” është përdorur për herë të parë në 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga baballarët e Kombit Shqiptar në Vlorë. Fillimisht himni jonë ka qenë një marsh rumun i përdorur edhe si himn kombëtar. Muzika është kompozuar nga Ciprian Porumbescu, ndërsa autor i tekstit është rilindësi Aleksandër Stavre nga Drenova e Korçës, ASDREN. Deri më tani poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë. Në punimin “Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”, Poradeci bëhet kështu edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore të nacionalizmit shqiptar. Ky himn ka fituar tashmë qytetarinë pavarësisht edhe ndonjë përpjekje gjatë këtij 102-vjeçari për ta zëvendësuar atë.

Strofat e harruara

Të gjithë e kemi kënduar me zë të lartë himnin tonë kombëtar nëpër evenimente të ndryshme. Madje jemi çjerrë duke e kënduar atë përpara ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit të skuadrës tonë Kuq e Zi në Serbi, Francë e gjetkë. Nëse ka një moment ku të gjithë Shqiptarët janë ndjerë të bashkuar të gjithë pa përjashtim të majtë apo të djathtë, Gegë e Toskë, “malci jallia”, ka qenë pikërisht kur ne të gjithë jemi çuar në këmbë dhe kemi kënduar me dorën në zemër pikërisht vargjet e Asdrenit. Jemi ndjerë krenar sa herë që ky flamur ka valuar në garat olimpike, ku atletët tanë kanë zënë vend në podin e nderit. U ndjemë krenarë kur flamuri ynë fluturoi me dron mbi Beograd dhe djemtë tanë nuk e lanë të binte për tokë.

Por nuk e kisha këtu fjalën. Teksti i himnit tonë përbëhet nga 6 strofa nga të cilat shumica e Shqiptarëve veç tre dinë. Pikërisht tre të parat, të cilat reflektojnë edhe gjendjen politiko-historike të asaj kohe të trazuar luftërash ballkanike më pas edhe botërore. Shqipëria si nocion politik me gjithë flamurtarët e kombit dhe shtetit që po ngrihej ishte në rrezik të mbetej një nocion vetëm në letër. Me mijëra vetë derdhën gjak e ranë dëshmorë për këtë flamur.

Tashmë rrethanat kanë ndryshuar, madje kishin ndryshuar me kohë, se kur pyesnim për strofën e katërt të cilën nuk e këndonim gjatë regjimit komunist, na thoshin se përmendja e Zotit në këtë strofë ishin “mbeturina mikroborgjeze” dhe “të zakoneve fetare e prapanike”, që mbizotëronin në mendimet e Asdrenit.

Se Zoti vetë e tha me gojë

Që kombe shuhen përmbi dhe,

Po Shqipëria do të rrojë;

Për të, për të luftojmë ne!

E pra, rilindësit ishin të gjithë njerëz që besonin në Zot dhe për këtë e demonstruan në të gjithë veprimtarinë e tyre jetësore, e Asdreni e përfshiu këtë besim edhe në atë që do të hynte në gojën e të gjithë Shqiptarëve: himnin e tyre të flamurit.

Por komunistët që erdhën në pushtet nuk kishin se si ta pranonin këtë fakt. Të ardhur nga lufta vëllavrasëse atyre iu leverdisnin vetëm etiketimet dëshmorë e tradhtarë: Tradhtarë për ata ishin “armiqtë e popullit” legalistët, ballistët, indipendentistët, fetarët që i kishin kundërshtuar gjatë luftës, e kushdo që nuk pranonte vijën e Partisë Komuniste. Fjalët “i shenjtë” dhe Zot, emërtimet theror e shenjtor ishin “mbeturina fetaro-mikroborgjeze” dhe “zakone prapanike”. Një terminologji me konotacione fetare nuk mund t’i pëlqente një regjimi të ashpër ateist, që i dënoi dhe i vrau fetarët.

Me mbarimin e periudhës moniste dhe fillimin e demokracisë ndryshuan krejtësisht rrethanat, por për fat të keq himni vazhdoi të këndohej me dy strofa dhe “në emër të laicitetit të shtetit vazhdoi të mbesë në harresë” strofa e tretë. Megjithëse nga dita në ditë po del në pah kontributi i fetarëve për këtë vend, e në veçanti i hoxhallarëve përsëri, në emër të laicitetit po lihen në harresë dhe po përmenden vetëm në ato vende që janë larg vëmendjes së publikut.

E si mund të mos kujtohen patriotët e shquar Hafiz Dalliu e Hafiz Aliu që e shkrinë jetën e tyre për këtë vend dhe për këtë shtet, për arsimin e ndriçimin e këtij populli?! Kryetarët e bashkive të Tiranës e Durrësit Zyber efendi Hallulli, Ismail efendi Ndroqi, Ali efendi Dërhemi e Hafiz Ali Podgorica nuk përmenden askund. Edhe për njëqind-vjetorin e ngritjes së Flamurit, nuk u përmendën fetarët që kontribuuan për këtë flamur. Data 29 nëntor reflekton të njëjtat ngarkesa negative, që i përmenda më sipër.

Shpresojmë që së shpejti këta njerëz të marrin përkujtimin e duhur dhe të zënë vendin që ju takon në historinë e vendit tonë. Lista e tyre është shumë e gjatë dhe ata të gjithë nuk patën frikë të sakrifikohen për këtë atdhe që e kishin ideal. Ndërkaq një ndryshim të vogël të himnit mund ta bënim duke e futur në strofën e katërt. E kjo strofë duhet të zërë vendin e merituar duke u kënduar me zë të lartë e me krenari nga të gjithë, duke mos harruar edhe të gjithë ata fetarë, që luftuan e punuan për Flamurin Kombëtar.

 

Himni Kombëtar

Rreth flamurit të përbashkuar

Me një dëshir` e një qëllim,

Të gjith` atij duk` ju betuar

Të lidhim besën për shpëtim.

 

Prej lufte veç ay largohet

Që është lindur tradhëtor,

Kush është burrë nuk frikohet,

Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t`i mbajmë

Të mbrojmë atdhenë më çdo kënd,

Të drejtat tona ne s`i ndajmë;

Këtu armiqtë s`kanë vend.

 

Se Zoti vetë e tha me gojë

Që kombe shuhen përmbi dhe,

Po Shqipëria do të rrojë;

Për të, për të luftojmë ne!

 

O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,

Te ty betohemi këtu,

Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,

Për nder` edhe lavdimn` e tu.

 

Trim, burrë quhet dhe nderohet

Atdheut kush iu bë theror;

Për jet` ay do të kujtohet

Mbi dhe, nën dhe’ si një shenjtor!

Artikulli paraprakKur romansierët shndërrohen në historianë e historianët shndërrohen në teologë!
Artikulli vijuesPranimi i Islamit një veprim i meçnur nga të parët tanë