Dialektika e islamit politik në Kosovë

0
176

 

 

Para ekstremizmit fetar, që mund ta kaplojë Kosovën, duhet të merremi e ta qërojmë mirë e mirë një ekstremizëm tjetër që tashmë e ka kapluar Kosovën.
Paramendoni për ca sekonda reagimin tuaj ndaj një lajmi në Kosovë, i cili do të rridhje diçka, si: “U përjashtuan nga detyra për shkak se nuk janë më pjesë të islamit. Ata braktisën fenë dhe tani nuk u takon kjo detyrë”. Po të ndodhte një gjë e tillë, dhe duke përcjellë reagimet ndaj debateve mbi shaminë dhe kërkesave të ndryshme të grupeve islame në Kosovë gjykoj se për shumë veta në Kosovë që mbahen si të moderuar e të cilët shpesh e sforcojnë qëndrimin e tyre proevropian e properëndimor, reagimi do të ishte diçka si “shkoj Kosova posht’, e mori islami radikal!”. Përpos kësaj, gjykoj që do të bëheshin debate, e mbi debate do të kishte edhe reagime të ambasadorëve të ndryshëm perëndimorë në Kosovë që do të alarmonin për rrezikun nga islami radikal si rezultat i një lëvizjeje apo lajmi të tillë. E në fakt keni pasur rast të dëgjonit diçka të ngjashme që ka ndodhur në Kosovë, por në këtë rast zëvendëso “islamin” me “partinë”. Në lajmet qendrore të 21 gushtit 2013 që u transmetuan në Kosovë, kryetari i Komunës së Malishevës kishte marrë vendim t’i përjashtonte drejtues të dy dikastereve të kësaj komune. Arsyeja e kryetarit ishte: “U përjashtuan nga detyra për shkak se nuk janë më pjesë e PDK-së. Ata braktisën partinë dhe tani nuk u takon kjo detyrë”. Dhe ky lajm rrodhi dhe kaloi fare lehtë para syve tonë, pa reagim nga të “moderuarit, proevropianët, e properëndimorët” dhe natyrisht pa asnjë reagim nga ambasadorët ndaj këtij qëndrimi radikal të kryetarit të Malishevës.

Arsyetimet e kryetarit të komunës që portretizojnë një “ekstremizëm partiak” të pashoq, u morën si shumë normale. Por kjo nuk paraqet ndonjë çudi. Ky “ekstremizëm partiak” merret si normal, pasi që ai është normalizuar dhe përbrendësuar në mendjen e pothuaj të secilit qytetar të Kosovës. Pra nuk u duk as ekstreme, as radikale, e as abnormale fakti që një kryetar komune jep arsyetimin se dy drejtorë largohen nga puna, sepse nuk qenkan më pjesë e partisë. Pra, je pjesë e partisë, je drejtor. Nuk je pjesë e partisë, nuk mund të jesh drejtor. E pse kjo na qenka ndryshe nga diçka si “pra je pjesë e islamit, je drejtor, nuk je pjesë e islamit, nuk mund të jesh drejtor”?! Po të ndodhte, reagimet ndaj kësaj të fundit do të mund t’i merrni me mend. Nuk do të çuditesha nëse do të dëgjonim edhe zërat e avionëve të telekomanduar nga distanca që do t’i shpeshtonin fluturimet e tyre mbi hapësirën ajrore të Kosovës.

Shumë frikë nga ekstremizmi fetar, e shumë normalitet ndaj nepotizmit, krimit, e keqpërdorimit. Shpesh thuren vargje kundër çfarëdo lëvizjeje apo kërkese fetare, shpeshherë për t’iu vardisur idesë perëndimore, jo nga besimi në këto ide, por nga kompleksi që këta të moderuar ia veshin vetes. Kur flasin kundër shamisë shpeshherë e arsyetojnë me të drejtën e femrave kur ajo shami vendoset mbi to pa dëshirën e tyre. Ky arsyetim është i drejtë, por jo edhe shumë i sinqertë, pasi që, prapë, shpesh shohim raporte e raste ku gruaja e shpluar rrahet nga burri, jo pse është e shpluar, por se është grua. E kur vjen puna të ndahet drejtësia, në krah të burrit i vijnë edhe gjykatës edhe shumë policë të këtij shteti laik. E këto raste shumë të shpeshta rrjedhin para syve të këtyre të moderuarve që shpenzojnë faqe gazetash duke mbrojtur të drejtën e gruas për të mos u mbuluar ndërsa e kalojnë vetëm në të përmendur kafesh apo familjesh dhunën e përditshme ndaj femrës. Vetëm shikojeni në 5 vitet e fundit se sa faqe gazetash, sa minuta televizivë, e sa reagime zyrtare vendore e ndërkombëtare janë bërë për të “mbrojtur” të drejtat e gruas duke kundërshtuar shaminë e sa janë përdorur për të mbrojtur të drejtën e femrës duke kundërshtuar dhunën familjare e institucionale ndaj tyre.

Gabimi i parë bëhet atëherë kur kërkesat fetare e sidomos shamia (keq)vendosen si pole të kundërta mes Perëndimit dhe Lindjes, mes modernitetit dhe lashtësisë, mes proamerikanizmit dhe antiamerikanizmit, e çka mos. Një polarizim i tillë i shamisë është antiepistemologjik dhe shkon kundër një debati të mirëfilltë. Fundja të moderuarit kanë nevojë ta dinë që Qeveria Federale e Gjermanisë ka shumë shami në kabinet, por kjo nuk paraqet problem, sepse atje mbrohet edhe e drejta e gruas për t’u mbuluar, edhe për t’u shkolluar, edhe për t’u divorcuar, edhe për t’u punësuar pa marrë parasysh dukjes apo veshjes. Ndërsa në Kosovë fare pak mbrohet e drejta e gruas, p.sh. kur ajo dëshiron të punësohet pa funde të shkurtra e pa grushte makijazhi në fytyrë, apo pa kushtëzime tjera radikalisht poshtëruese.

Gabimi i dytë bëhet nga vetë ekzistenca e frikës apo e një tundimi mes të moderuarish nga kërkesat fetare dhe shamia. Arsyetimi i tyre për kundërshtim pra nuk rrjedh nga logjika dhe rezoni por nga frika dhe kompleksi. Thuhet se duhet t’i ndalim këto kërkesa fetare sepse ndryshe do të themelohet islami politik në Kosovë. ‘Na mori islami, shkumë posht’, do të klithnin zërat e moderuar. Merreni me mend, lejimi i shamisë në institucione publike e sidomos në shkolla na qenka problemi. Ka nevojë për këso klithjesh në drejtim të së keqes së vërtetë pjesë të së cilës, shpeshherë me vetëdije e shpeshherë pa vetëdije, janë edhe këta të moderuar e “properëndimorë”. Po, duhet të kundërshtohet çfarëdo kushtëzimi që i bëhet gruas pa dëshirën e saj, dhe të mos harrojmë që ka shumë gra që me dëshirë mbajnë shaminë, dhe ka shumë tjera që pa dëshirë u kushtëzohet zhveshja. Por në çfarëdo rasti, të mos i ndalohet gruas të shkollohet mirëfilli e kështu t’i krijohet mendimi kritik që ajo vetë të gjykojë në të ardhmen për shaminë dhe mbi shaminë. Ndërsa t’ia ndalojmë shkollimin, ato vetëm se do të edukohen që të mos mendojnë vetë dhe për veten e tyre.

Gabimi i tretë, e i cili mendoj është edhe më i rrezikshmi, bëhet tek rrugëdalja që propozojnë si zgjidhje këta të moderuar e “properëndimorë”. Vazhdo ta ndalosh shaminë, dhe rrëzo poshtë kërkesat e grupeve fetare, përndryshe argumentojnë ata, bëhemi si Turqia apo Egjipti. Turqia është shtet laik, dhe shpresoj të vazhdojë të qëndrojë ashtu, mirëpo janë disa arsye që edhe pse shtet laik me politika dhe retorikë radikale kundër shamisë bënë që me Turqinë sot të udhëheqin pikërisht ata që u shtypën me këta radikalizma, pikërisht ata që edhe u mbyllën e u burgosën për shkak të kërkesave dhe qëndrimeve të tyre fetare. E druaj që arsyet janë shumë të ngjashme me kombinimin e politikave socio-politiko-ekonomike në Kosovë dhe retorikës së gabuar mbi shaminë, prandaj duhet të bëjmë kujdes!

Ne Turqi, njësoj sikurse në Kosovë, në emër dhe për hir të laicizmit në sipërfaqe e dëgjueshmërisë ndaj aktorëve të ndryshëm nga jashtë (kryesisht perëndimorë) në thelb, fshihej korrupsioni i thellë institucional, lejohej inflacioni, mbulohej rënia ekonomike dhe mirëqenia shoqërore, fshihej analfabetizmi sidomos mes femrave në njërën anë, e sulmohej shamia e goditeshin kërkesat e grupet fetare në anën tjetër. Dhe në fund rezultati: shkëlqimi i AKP-së si lëvizja më e fuqishme që nga shpallja e “republikës laike” të Turqisë më 1923. Rezultati tjetër: zonja e parë e shtetit me shami, gruaja e kryeministrit me shami, shumë zyrtare tjera në kabinet qeveritar me shami, e kështu me radhë. Pra goditja e shamisë, siç na tregon rasti i Turqisë nuk qenka zgjidhja.

Para ekstremizmit fetar që mund ta kaplojë Kosovën, duhet të merremi e ta qërojmë mirë e mirë një ekstremizëm tjetër që tashm
ë e ka kapluar Kosovën. Para syve tanë po kalojnë ekstremizma e radikalizma shumë më të mëdhenj e më të rrezikshëm për shtetin e shoqërinë. Ndjekja e politikave neoliberale duke larguar shtetin nga rregullimi i brendshëm ekonomik ende pa pasur shtet është politikë radikale me rezultate radikale negative në punësim, prodhim, dhe njëkohësisht korrupsion. Dhe këtu nuk kemi as reagim të mirëfilltë vendor e as ndërkombëtar, në mos shtytje për një gjë të tillë. “Ekstremizmi partiak” i cili nepotizmin dhe klientelizmin e ka shndërruar në normale është lejim radikal i së keqes shoqërore. Dhe këtu nuk kemi as reagim vendor as ndërkombëtar. Ushtrimi i dhunës ndaj femrës i normalizuar në gjyqësor e patriarkalizmin policor është përbrendësim institucional i radikalizmit patriarkal të normalizuar tanimë në shoqëri. Dhe këtu nuk ka reagim të mirëfilltë vendor e as ndërkombëtar. Grushtimi i policëve dhe institucionit shtetëror të sigurisë nga bandat e lidhura me familjet e kuvendarëve, dhe kalimi i saj si diçka, eh, normale, është heshtje radikale ndaj keqndërtimit institucional. Dhe këtu sërish nuk ka reagim të mirëfilltë vendor e as ndërkombëtar. Shpëlarja e trurit me “ekstremizma partiakë” brenda universiteteve është goditje radikale ndaj mendjes kritike, të lirë e të shëndoshë.

E çka kanë gjitha këto lidhje me islamin politik? Pikërisht islami politik të cilit po i frikohen si vendorë të moderuar ashtu edhe ndërkombëtarë është rezultat i marrëdhënieve dialektike mes këtyre politikave radikale në njërin ekstrem dhe prodhimin e saj në ekstremin tjetër. Në Egjipt, që shumë prej të moderuarve druajnë mos të ndodhë në Kosovë, kriza po tani edhe lufta civile mes laikëve apo besimtarëve të moderuar dhe atyre radikalë nuk është rezultat i ardhjes së “Vëllazërisë Myslimane” me politika islame në pushtet, por është shkëlqimi i “Vëllazërisë Myslimane” si rezultat i politikave të mbrapshta shoqërore të diktatorëve të përkrahur nga Perëndimi, i cili rrallëherë reagoi ndaj atyre politikave. Kështu që duke e goditur shaminë dhe duke e huqur me drojën nga islami politik vendorë e ndërkombëtarë druaj se do ta krijojnë një të tillë. Të goditet thelbi i ekstremizmave politikë që vetëm se ekzistojnë, e jo ato që krijohen mu nga ekstremizmat tanimë të normalizuar në Kosovë.

Shpend Kursani

(Autori është hulumtues i lartë në Institutin KIPRED)

*Qëndrimet e paraqitura reflektojnë opinionin personal të autorit, jo domosdoshmërisht ky është edhe qëndrimi i redaksisë kohaislame.com