Historianët shqiptar: Ngjarjet e 1915 në Anadollin Lindor, përdoren politikisht

Meshën e para disa ditëve në Vatikan, Papa Françesku ia dedikoi armenëve të cilët humbën jetën në ngjarjet e vitit 1915 në Anadollin Lindor duke e quajtur atë ngjarje “gjenocid”. Ky mesazh i Papës ringjalli ngjarjet e vitit 1915 me tendenca edhe politika nga shteti armen. AA ka arritur të diskutojë këtë çështje me disa historian të vendeve të hapësirës shqiptare, të cilët thonë se në vend që këto raste të hulumtohen nga shkencëtarë dhe historianë që njohin historinë e asaj periudhe, ato përdoren politikisht nga ana e Parlamentit Evropian dhe shteteve të tjera të botës.
 
Në Kosovë, doktori i shkencave të historisë, Nuridin Ahmeti, lidhur me këtë debat thotë se është debat që është ngritur kaherë nga qarqe të ndryshme por, ajo që e shqetëson këtë historian është fakti se, debati nuk është ngritur nga qarqet shkencore, por më shumë është ngritur nga qarqet politike.
 
– Nuridin Ahmeti: Debati për vrasjet e armeneve është politik dhe jo shkencor-
 
“Realisht, kur futet politika në punë të shkencës atëherë roli i shkencës zbehet, për mos me thënë se avullohet komplet dhe kjo për mua nuk është në rregull. Këtë çështje do të duhej t’ju linin në duar njerëzve kompetent, historianëve, do të duhej që të hapnin arkivat e tyre shtetet përkatëse të cilat mendojnë se është bërë vrasja e armenëve. Unë nuk do ta quaj gjenocid, unë do ta quaj vrasje” thotë dr. Nuridin Ahmeti duke shtuar se, ato shtete të cilat pretendojnë se është bërë gjenocid, duhet të lënë të flasin arkivat dhe jo politikanët, sepse arkivat japin argumentin më të mirë se çfarë ka ndodhur në të vërtet.
 
Studiuesi dhe njohësi i historisë së shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane, në periudhën e fundit të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, këndvështrimin e tij e mbron duke bërë një analogji në përdorimin e terminologjisë për vrasjen e armenëve, nga njëra anë dhe vrasjen sistematike të shqiptarëve nga pushtuesit serb, të gjatë më shumë se një shekull. Sipas Ahmetit, për rastin e armenëve, bëhet presion nga qarqet politike që kjo ngjarje të quhet gjenocid kurse për krimin dhe vrasjet e vazhdueshme të serbëve ndaj shqiptarëve, përdoret termini “konfliktit”. Ai këtë e quan të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
 
“Neve nga viti 1913 kemi masakra në vendin tonë dhe thuajse në mënyrë sistematike nga viti 1913, dihet nga luftërat Ballkanike dhe janë masakrat e tmerrshme kisha me thënë, këto masakra në vendin tonë i kanë treguar edhe udhëpërshkruesit e huaj dhe thuajse gati deri te lufta e fundit në Kosovë, kemi pasur masakra” krahason dr.Ahmeti dy rastet e vrasjeve, ato të armenëve nga osmanët dhe të shqiptarëve nga serbët, duke përsëritur dhe insistuar se, ky debat ka karakter politik dhe nuk ka karakter shkencor.
 
Ai shpjegon se gjatë luftërave ka vrasje nga të dyja palët dhe në këto rrethana, doktori i historisë, Nuridin Ahmeti e konteston këtë debat global siç e quan ai, politik.
 
Ai insiston se, vetëm me hulumtime të mirëfillta shkencore, të bazuara në materialet arkivore të Arkivit Osman në Stamboll, atij të perandorisë britanike dhe arkivit të Vjenës, nga koha e perandorisë austro-hungareze, mund të jepen përgjigjet në shumë pyetje të hapura dhe vetëm atëherë, pas studimeve të detajuara dhe serioze, mund të përcaktohet terminologjia për rastin e vrasjes së armenëve në vitin 1915.
 
“Pse kjo duhet të quhet gjenocid dhe në vendet e tjera, në rastin e ish-Jugosllavisë apo në rastin konkret të trojeve shqiptare, nuk duhet të quhet gjenocid kur në 100 vitet e fundit përjetojmë tmerr nga pushtuesi serb, konkretisht” përfundon doktori i historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Nuridin Ahmeti.
 
– Ahmet Sherif: Mbi hulumtimet e tij të deritanishme nuk haset ndonjë organizim nga Shteti Osman kundër armenëve –
 
Nga ana tjetër, ligjërues i historisë së Maqedonisë në kohën e Periudhës Osmane në Institutin për Histori Kombëtare në Maqedoni, Ahmet Sherif, thotë se hulumtimet e tij historike dhe arkivore të deritanishme në arkivin shtetëror osman, dokumentet osmane të asaj periudhe vërtetojnë se nuk haset ndonjë organizim nga Shteti Osman kundër armenëve.
 
“Mirëpo, është e vërtetë se në vitin 1915, pas luftës ballkanike duke ditur se një pjesë e popullatës armene në bashkëpunim me fuqitë e mëdha, veçanërisht në bashkëpunim me shtetin rus, ato filluan me treguar pakënaqësinë e vet kundër Shtetit Osman”, tha Sherif, i cili këtë e arsyeton se Shteti Osman për t’u larguar hakmarrjeve ndaj armenëve vendosi që t’i largojë një pjesë të popullatës armene që mos të arrijë deri në ndonjë konflikt.
 
“Në bazë të dokumenteve osmane, deri më tani mundemi të themi se nuk ka pasur ndonjë gjenocid, por ka pasur konflikte dhe, konfliktet historianët duhet t’i pasqyrojnë në bazë të hulumtimeve dhe kërkimeve të dokumenteve osmane”, shprehet Ahmet Sherif.
 
– Selver Xhemaili: Ngjarjet e vitit 1915 mund të cilësohen si një tragjedi edhe për armenët, edhe për turqit –
 
Ligjërues i historisë së Perandorisë Osmane në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Selver Xhemaili, thotë se duhet pasur parasysh se për rastet e vitit 1915, bëhet fjalë për Luftën e Parë Botërore, periudhë në të cilën shteti osman ishte i sulmuar nga shumë anë, përfshirë edhe nga anët e Ballkanit. “Në atë kohë sapo kishin përfunduar luftërat ballkanike, ku shteti osman ishte në tërheqje e sipër, që do të thotë se bënte luftë nga të gjitha anët”, shprehet Xhemaili.
 
Siç thotë Xhemaili armenët të mashtruar nga ajo që ushtria ruse u premtonte se do ti ndihmojë të themelojnë shtetin e tyre, futen në bashkëpunim me ushtrinë ruse dhe në rajonet e pushtuara nga ana ruse, fillojnë të sulmojnë popullatën civile turke, duke shkaktuar edhe dëme të mëdha. Ai duke theksuar se ngjarjet e vitit 1915 mund të cilësohen si një tragjedi edhe për armenët, edhe për turqit, shtoi se: “Armenët në shtetin osman kishin një të kaluar 500 vjeçare. Ata kishin një mbijetesë shumë të bukur, mbijetesë shumë të mirë me plotë harmoni dhe tolerancë”.
 
Sipas tij, rastet politike ditore siç ishte ndërhyrja ruse në Anadollin Lindor nuk duhej të kuptohen nga armenët në atë mënyrë që t’i sulmojnë civilët në këto troje. “Pas asaj, përpjekjet e Qeverisë Osmane me qëllim që t’i qetësojë rebelët armen, mori vendim që të largojë të gjithë ata që kishin gisht në krime ndaj civilëve, kuptohet grupacione të ndryshme armene të cilët ishin nën psikologjinë e fajit, organizuan shpërngulje, kështu që një pjesë e madhe e armenëve largohen nga Anadolli lindor”, tha ai.
 
Ndërkohë, Xhemaili nënvizon se këto raste sot janë duke u përdorur politikisht, pasi që Qeveria Armene, veçanërisht parlamente të ndryshme të vendeve evropiane janë duke i politizuar këto raste, ndërsa më tej u shpreh se në rast se ngjarjet historike politizohen apo vendosen nën ndikimin e politikës ditore, atëherë kjo është një gabim total.
 
“Ngjarjet historike duhet të shihen në aspektin historik dhe duhet të trajtohen nga shkencëtarë të mirëfilltë, nga shkencëtarë objektiv pa ndikim të politikës ditore. Shkencëtarë që me plotë kuptimin e fjalës njohin faktet historike dhe janë lart nga politika ditore”, thotë
Xhemaili.
 
Xhemaili konstaton se aspekti tjetër që duhet të shihet në këtë ngjarje është edhe dimensioni fetar, sepse kemi të bëjmë me një akuzë që i bëhet një populli që i takon fesë islame, ndërsa shteti osman si jurisprudencë të veten gjatë tërë ekzistencës së saj ka përdor të drejtën islame.
 
“Në fuqi ka qenë e drejta islame. Në bazë të të drejtës islame në asnjë mënyrë nuk lejohet vrasje e atyre të cilët nuk janë të përfshirë në krime dhe nuk janë të përfshirë në shtypje të popullatës civile. Ndërsa në anën e turqve kemi të bëjmë me një ushtri që pjesa dërmuese e saj kanë qenë të fesë islame, fe e cila ndalon vrasjen dhe e cila ndalon masakrën ndaj tjetrit”, deklaron Xhemaili, dhe shpreh bindje se këto ngjarje që bëhet fjalë për të “ashtuquajturën gjenocid i popullatës armene”, ka nevojë të trajtohet me argumente, për arsye se kohët e fundit nga gjurmimet arkeologjike zbulohen varre masive ku janë varrosur turq vendas në Anadollin Lindor dhe kjo tregon se edhe vet çetat armene kanë bërë vrasje masive./mszh
Artikulli paraprakDëshmitari Qan në Gjykimin e Oliver Ivanoviqit
Artikulli vijuesDezertorët e spiunët, invalidë e veteranë të luftës