Siria nuk është demokratizuar, është bota që është sirianizuar

Yassin al-Haj Saleh
Opozita siriane dhe militantët e revolucionit të vitit 2011 përshkruan në historinë e vendeve të Lindjes globalizimin e krizës siriane. Por me çfarë qëllimi ata luftojnë? Shpresa e tyre? Bashkatdhetarët e tyre të gjejnë paqen dhe të rimarrin një republikë që tashmw është konfiskuar nga familja e Assadit.
Kundërshtar i regjimit sirian dhe shkrimtar, Yassin al-Haj Saleh është një figurë me ndikim dhe i respektuar në opozitën siriane, duke përfshirë edhe personalisht në veprimtari politike. I lindur në Raka në vitin 1961, ai kaloi gjashtëmbëdhjetë vite në burgjet e Hafez al-Assad (babai i Bashar al-Assadit) për shkak se përkrahte Partinë Komuniste. Në vitin 2011, ai mori pjesë me entuziazëm në revolucionin sirian dhe në vitin 2013 emigroi në Turqi.
Për të kuptuar atë që po ndodh në ditët e sotme në Siri duhet të nisemi që nga periudha e Perandorisë Osmane. Fillimet e krizës së Lindjes së Mesme ishin kryesisht pas rënies së kësaj perandorie ku çdo shtet nuk mori trajtën e tij të mirëfilltë. Shumë vende u copëtuan, bashkuan, madje edhe disa shtete pothuajse u rikrijuan. Moszbatimi i një plani të mirëfilltë, pa marrë parasysh nevojat dhe pritshmërinë e rajonit, solli që situata të ishte e tillë në vitin 2016. Gjithashtu Izraeli, i cili deri më tani nuk është i prekur nga lufta civile apo problemet e brendshme, përveç konfliktit me Palestinën, nuk është mjaft i kënaqur nga ndarja që është bërë para 100 vitesh në Lindjen e mesme. Gjithsesi mund të themi që në këtë rast Izraeli mbetet i privilegjuar për shkak të marrëdhënieve mjaft të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Revolucioni sirian është bërë një “çështje” komplekse ekstreme dhe kohëzgjatja e saj e gjatë e ka ndërkombëtarizuar, për shkak të përfshirjes të forcave të huaja. Kjo nuk është një luftë racionale mes forcave politike brenda një vendi, por një problem në lidhje me themelin e shoqërive, besimeve dhe kulturave. Kjo është një çështje zgjidhja e cilës mund të zgjasin për dekada të tëra apo edhe breza.
Për dy vjet, kriza siriane është globalizuar në të gjitha nivelet: ushtarake, diplomatike dhe luftës kundra terrorizmit. Problemi qëndron tek “menaxhimi i krizës” më tepër sesa tek zgjidhja e saj. Vlerat ndërkombëtare si ndarje e pushteteve, siguria e qytetarëve, drejtësia, liria apo barazia janë errësuar. Në vend të demokratizmit të Sirisë, është bota ajo që është sirjanizuar.
Sipas Yassin al-Haj Saleh tre janë shkaqet kryesore të përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm në Siri. Së pari, intensiteti i dhunës së përdorur nga forcat e Bashar al-Assadit në shtypjen e kryengritjes popullore. Së dyti, mungesa e mbështetjes së jashtme për revolucion, ose mungesa e mbrojtjes nga dhuna ekstreme. Së treti, dështimi i opozitës siriane për të paraqitur një vizion të përbashkët dhe një projekt të qëndrueshëm për Sirinë. Rezultati është humbja e besimit nga të gjitha palët. Në kontekstin e krizës siriane, çështja e Assadit është kthyer si një konfiskim i republikës, apo si një monarki e trashëgueshme.
“Urgjencat me të cilat ballafaqohet Siria janë të shumta, njerëzit jetojnë nën zjarrin e konflikteve, në varfëri, të plagosur, pa mundësitë minimale të jetesës. Unë nuk mund të bëj asgjë tjetër veçse të shkruaj, të bëj punën time si shkrimtar duke informuar dhe pasqyruar situatën”, shprehet Yassin al-Haj Saleh.
Përktheu: Jona Koprencka

Artikulli paraprakNë zemrat e pacientëve vendosen pajisje pa afat
Artikulli vijuesSi e fitoi Londrën Khani