Nga Amir B. AHMETI*: “Kolegji Elektoral” në SHBA dhe hija e etërve themelues

I.

Si Partia Republikane, edhe ajo Demokratike, me shumë fanatizëm dhe krenari e mbrojnë sistemin e tërthortë të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ku përmes “Kolegjit Elektoral” përzgjidhet presidenti. Por këtë mendim nuk e ndajnë shumë juristë e intelektualë amerikanë, e sidomos jo edhe partitë e tjera politike, të cilat nuk janë të pakta, mbi 40 sosh. Transformimin që ka pësuar “Kolegji Elektoral” gjatë viteve, ata sot po e konsiderojnë si diskriminues për partitë e vogla. Të gjithë këta mundohen të dëshmojnë se ajo që ka mbetur nga forma e atij kolegji është vetëm hija e etërve themelues të SHBA-së. Ai madje ka humbur shpirtin frymëzues të etërve themelues qysh në presidencën e tretë, më 1796, kur fillon edhe përzgjedhja e presidentëve sipas preferencave partiake, dhe jo sipas mënyrës idealiste që kishin projektuar etërit themelues.

II.

Pikërisht këto komplikime në “Kolegjin Elektoral” janë bërë shkak i propozimit të shumë amendamenteve për ndryshimin e këtij sistemi elektoral. Por jo vetëm profesori i Yale-it, Akhil Reed Amar, që e përmenda në kolumnën time të kaluar, ka dëshmuar në seancat dëgjimore pranë shumë komisioneve të Kongresit për reformën zgjedhore në SHBA. Janë edhe shumë profesorë të tjerë që kanë dhënë propozime të ndryshme. Madje edhe shumë kongresmenë, guvernatorë e ish-presidentë të SHBA-së.

Propozimet për ndryshimin e sistemit të tërthortë të zgjedhjeve presidenciale në SHBA i kanë tejkaluar të gjitha propozimet për ndryshime në çështjet e tjera. Më shumë se 500 amendamente për kushtetutën, rreth “Kolegjit Elektoral”, i janë propozuar Kongresit në këto 200 vitet e shkuara. Prej vitit 1947 e deri më 1968-n janë propozuar 265 amendamente, dhe më shumë se 60 amendamente vetëm gjatë vitit 1969. Në vitet 1966 dhe 1967, nënkomisioni për amendamente kushtetuese ka pasur dëgjim për 18 ditë rreth reformimit të metodës së zgjedhjeve presidenciale. Raporti i botuar i dëshmisë është 948 faqe i gjatë, por asnjë rekomandim i komisionit juridik nuk i është dhënë Senatit si rezultat i atij dëgjimi.

Gjatë studimit tim të sistemit elektoral presidencial në SHBA, kam numëruar emrat e mbi 570 kongresmenëve që gjatë viteve të ndryshme kanë përkrahur ndryshimin e sistemit elektoral presidencial. Njëherësh, edhe disa prej presidentëve të SHBA-së i kanë përkrahur ndryshimet, madje edhe kanë propozuar disa prej ideve të tyre, si Herry Truman, John Kennedy, Lyndon Johnson, Richard Nixon, Gerald Ford, Jimmy Carter, si dhe George H. W. Bush (i vjetri).

III.

Ideja e etërve themelues ishte që presidentin ta zgjedhte një trupë elektorësh nga të gjitha shtetet, që do të ishin prej ajkës së popullit, njerëz intelektualë e me pedigre, të njohur në vendet e tyre. Ata, pra, do të ishin njerëzit më meritorë për të qenë të deleguar të popullit, të cilët me maturi do të votonin për njeriun më të arsyeshëm për president. Arsyet e tyre ishin të shumta, por më kryesorja ishte se nga zgjedhjet e drejtpërdrejta ekzistonte frika se ndonjë tiran do të manipulonte opinionin publik dhe do të arrinte në pushtet..; frika e manipulimit të popullit nga qeveritë e huaja..; se nuk besonin që popullata në rrethana të tilla do të bënte zgjedhje të drejtë, etj.

Ndërsa sot ne jemi dëshmitarë se si turmat e njerëzve në SHBA, dhe pikërisht për arsyet e sipërpëmendura, tani të ndikuar nga zhvillimet e fundit në botë, po ashtu edhe nga ngecja e zhvillimit ekonomik në vitet e fundit, nga frika e papunësisë dhe pasigurisë kombëtare, po shfrytëzohen gjatë fushatave zgjedhore; në fund, këto turma njerëzish do t’i zgjedhin elektorët partiakë për të pëzgjedhur presidentin e ardhshëm të SHBA-së, dhe jo trupa zgjedhore që u projektua nga etërit themelues.

Në fund u mbetet elektorëve të vendosin a do ta përfaqësojnë popullin e tyre sipas asaj që kishin projektuar etërit e tyre themelues për zgjedhjen e presidentit, kurse kongresmenëve nuk po u mbetet rrugë tjetër, veçse kthimi i sistemit elektoral në frymën e etërve themelues, e që “Kolegji Elektoral” të mos mbetet vetëm hija e tyre. /tesheshi.com/

*Autori është magjistër i shkencave juridike, e njëherësh autor i librit, “Zgjedhjet Presidenciale në SHBA – në rrugën e kontinuitetit apo ndryshimit të këtij sistemi elektoral”

Artikulli paraprakNga Amir B. AHMETI: Fushata ballkanase e Trump-it dhe vetura pa airbag e Amar-it
Artikulli vijuesNga Fatos MAHMUTAJ: Frika nga Erdogan, Greqia “mobilizon” shqiptarët