Hoxhaj: Assadi gjenocial si Millosheviqi

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në një në një intervistë për gazetën më të madhe të Arabisë Saudite “Okaz”, ka thënë se Kosova mbështet të gjitha lëvizjet për dinjitet njerëzor dhe shprehë solidaritetin për viktimat dhe për jetërat e shumë njerëzve që vdiqën në këto lëvizje.

“Sjellja e Assadit është e njejtë sikurse sjellja e Millosheviqit ndaj qytetarëve të Kosovës dhe Bosnjës, vende ku ka ndodhur gjenocid. Për ne Assadi, Gaddafi, Sadam Huseini dhe të tjerë janë diktatorë dhe përgjegjës për shkelje masive të të drejtave të njeriut sikurse Millosheviqi në Ish-Jugosllavi”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, që kur ka filluar një proces i tillë edhe në Siri, Kosova ka qenë përkrah popullit të Sirisë. “Assadi me brutalitetin e tij dhe me vrasjet masive të qytetarëve të tij ka humbur çdo legjitimitet të pushtetit të tij dhe sa më shpejt duhet të largohet nga regjimi i tij anti-njerëzor”, ka shtuar ai.

Hoxhaj ka thënë se Kosova që kur filloi Pranvera Arabe dhe deri në ditët e sotme i ka dhënë mbështetje të fuqishme publike lëvizjeve të popujve të ndryshëm për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor në të gjitha vendet islame.

“Një gjë të tillë e kanë bërë të gjitha shtetet në Ballkan, Evropë dhe më gjerë që besojnë në vlera të tilla si të drejtat e njeriut dhe demokracia. Kështu unë kam qenë ndër ministrat e parë të Punëve të Jashtme që kam mbështetur aspiratat dhe tranzicionet në demokraci në Tunizi, Libi, Egjipt dhe në shumë shtete të tjera”, ka thënë ai.

Duke folur për procesin e njohjeve në mesin e shteteve arabe, kryediplomati kosovar ka thënë se fakti që nga 22 shtete anëtare të Ligës Arabe vetëm 11 e kanë njohur Republikën e Kosovës, si dhe nga 57 vende anëtare te Organizatës për Bashkëpunim Islamik vetëm 27 e kanë njohur Kosovën janë të dhëna dëshpëruese për qytetarët e Kosovës dhe për shumë vende dhe popuj miq në boten arabe dhe myslimane.

“Nga asnjë shtet ne nuk kem pritur që do ta zgjasin njohjen e Republikës së Kosovës. Presim që qytetarët e Kosovës, të cilët në të kaluarën kanë përjetuar vuajtje dhe tragjedi të mëdha si dhe me një besim të pathyeshëm dhe vendosmëri të madhe e kanë arritur idealin e tyre që të jetojnë në një shtet të lirë, sovran dhe te pavarur, të kenë lajme të mira dhe pozitive për pranimin e sakrificës së tyre dhe respektimit të dinjitetit njerëzor përmes njohjes zyrtare të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Hoxhaj, gjatë intervistës për “Okaz”.

Sipas tij, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 janë shkatërruar pothuajse mbi 450 xhami nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, i cili kishte për qellim jo vetëm dëbimin e gjysmës së popullatës, pothuajse mbi 1 milion njerëz jashtë Kosovës, vrasjen e mbi 15000 njerëzve në Kosovë, por synonte edhe shkatërrimin e kujtesës tone historike përmes djegies, granatimit dhe shkatërrimit deri në themel të xhamive tona./ex/kohaislame

Artikulli paraprakErdogan: Çdo familje boshnjake të ketë së paku 5 fëmijë
Artikulli vijuesKërkohet hetim parlamentar për RTK