Hoxhaj në Izrael, propozon formimin e grupit të miqësisë Kosovë-Izrael

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka vazhduar me vizitën në Izrael ku është takuar me deputetin e Knessetit, Omer Barlev, njërin prej politikanëve kryesor të koalicionit Unioni Zionist.
Në këtë takim, Hoxhaj ka shtruar nevojën e shkëmbimeve të përvojave ndërmjet parlamenteve dhe veçmas komisioneve parlamentare, ndërsa si domosdoshmëri është shikuar mundësia e formimit të një grupi të miqësisë Kosovë-Izrael.
 
“Kosova është dhe duhet të jetë në kërkim të miqve të saj kudo nëpër botë. Si deputet dhe politikan i Kosovës jam në Izrael pikërisht për të punuar në këtë frymë që të ndërtojmë ura të shëndosha bashkëpunimi duke filluar mes Parlamenteve ku si ide doli grupi i Miqësisë dhe vazhduar më pas me aspekte të tjera”, ka thënë Hoxhaj.
 
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nga ana e tij, edhe deputeti Barlev ka shprehur gatishmërinë për të punuar në këtë drejtim.
 
Ish-ministri Hoxhaj është pritur edhe në ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit ku është takuar me zv.drejtorin për Euroazi, Zvi Rav-Ner, si dhe drejtorin për Ballkan, Dan Oryan.
 
Gjatë qëndrimit në Izrael, Hoxhaj të hënën dhe të martën ka takuar edhe deputetë të tjerë të Knessetit izraelit, dhe mbajtur një sërë ligjëratash në institute dhe universitete të këtij vendi. /Telegrafi/
Artikulli paraprakArrestohet tre persona në Ferizaj
Artikulli vijuesKosova humbi mbi 110 milionë investime në kesh