Hoxhaj: Turqia, përkrahëse e rëndësishme e Kosovës

Kosova vazhdon përpjekjet për njohje në arenën ndërkombëtare.

Këtë proces e vlerësoi për TRT-në Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë vizitës që realizoi në Egjipt.

Deri më sot Kosova është njohur nga shumë vende si shtet i pavarur, u shpreh Enver Hoxhaj duke shtuar se Serbia me politikat që ka ndjekur këto dy vitet e fundit është përballuar me realitetin e pavarësisë së Kosovës.

“Për dy vite me radhë Serbia politikat e saj i përcakton duke e pranuar që Kosova është një shtet i pavarur. Për shembull, vitin e kaluar ne nënshkruam me këtë vend marrëveshjen për kontrollin e përbashkët të kufirit. Dhjetorin e kaluar hapëm 4 pika të ndryshme të kalimit kufitar. Në janar do të hapim edhe dy pika të reja kalimi. Në qoftë se një vend i hap në mënyrë zyrtare këto pika kufitare, kjo do të thotë se “de fakto” kufijtë janë vendosur. Ne jemi një shtet i pavarur me kufij dhe territor të përcaktuar dhe i njohur nga shumë vende anëtare të OKB-së”, u shpreh shefi i diplomacisë kosovare.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës tha se Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm në shtimin e numrit të vendeve që e kanë njohur Kosovën.

“Turqia është një përkrahëse dhe mbështetëse e madhe e Kosovës. Kemi lidhje të fuqishme kulturore dhe historike. Me autoritetet turke kemi marrëdhënie të shkëlqyera, dhe njëri prej këtyre është edhe Ministri i Jashtëm Ahmet Davutollu. Turqia na ka mbështetur shumë si gjatë luftës ashtu edhe pas saj për të ndërtuar një vend dhe shoqëri moderne. Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendosjen e paqes dhe stabilitetit. Këtë përkrahje lidhur me pavarësinë e Kosovës Ankaraja e ka vazhduar në të njëjtën mënyrë edhe në 5 vitet e fundit” nënvizoi Enver Hoxhaj.

Kosova bën pjesë në hartën integruese të Bashkimit Evropian, theksoi Hoxhaj duke shtuar se progresi që ka shënuar vendi i tij këto 5 vitet e fundit si një shtet i pavarur është pranuar edhe nga Bashkimi Evropian.

Objektivat kryesore në procesin në vijim janë përmirësimi i ekonomisë dhe realizimi i reformave të BE-së, shtoi Hoxhaj./trt/kohaislame

Artikulli paraprak(Video) Bie helikopteri në qendër të Londrës, dy viktima
Artikulli vijuesLugina – problem që nuk duhet nënvlerësuar