HRW: Të vdekurit në Egjipt, përbuzje kriminale e jetës njerëzore

Organizata Human Rights Watch denoncoi sot vdekjen e më shumë se 70 personave gjatë përleshjeve në Kajro, duke akuzuar autoritetet për një përbuzje kriminale të jetës njerëzore.

“Të paktën 72 persona mbetën të vdekur dje në Kajro gjatë përleshjeve mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të presidentit të rrëzuar, Mohamed Mursi dhe forcave të rendit”, njoftuan burime nga Ministria egjiptiane e Shëndetësisë.

Manifestuesit akuzuan forcat e sigurisë për hapje zjarri në drejtim të tyre, por Ministria e Brendshme egjiptiane u shpreh se kishte përdorur vetëm gaz lotsjellës.

Megjithatë, organizata Human Rights Watch konfirmoi se shumica e viktimave ishin goditur me plumba në kokë apo gjoks.

“Këto vdekje dëshmojnë vullnetin tronditës të disa prej forcave të policisë dhe autoriteteve politike për rritjen e dhunës së ushtruar ndaj manifestuesve mbështetës të Morsit”, u shpreh kryetari i organizatës për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, Nadim Houry.

“Është pothuajse e pamundur të shkaktohet një numër i tillë të vdekurish pa patur synimin paraprak për ta bërë këtë. Kjo është një përbuzje kriminale e jetës njerëzore”, nënvizoi ai./trt/kohaislame

Artikulli paraprakEgjipt – Një OJQ njofton se Mursi ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore
Artikulli vijuesRreziqet që na kanosen prej produkteve joorganike të mishit