Hungaria ndan 90 bursa të plota për studentët e Kosovës

Ambasada e Hungarisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka nënshkruar marrëveshje për ndarje të 90 bursave në fusha të ndryshme për shtetasit e Kosovës, të cilët janë të interesuar të studiojnë në bachelor, master dhe doktoratë.

Zëvendësministrja e Arsimit, Anila Statovci-Demaj, ka thënë në një intervistë për KosovaPress se ndarja e bursave do të bëhet në 3 vitet e ardhshme, për çdo vit nga 30 bursa.

“Para ca ditësh e kemi nënshkruar në Hungari një marrëveshje dypalëshe, në mes të Republikës së Kosovës dhe Hungarisë për ndarjen e bursave në drejtime të ndryshme për studentët tanë të Republikës së Kosovës. Këto quhen shtupendium hungarikum, është program i veçantë që Hungaria e ndan, dhe qëllim natyrisht ka edhe sforcimin e mobilitetit të studentëve në këtë rast me universitetet hungareze. Janë gjithsej 30 bursa të cilat do të do të ndahen çdo vit, për 3 vitet e ardhshme, do me thënë po flasim për 90 bursa në përgjithësi. Janë bursa jashtëzakonisht të mira që ndahen për drejtime të caktuara”, ka deklaruar ajo.

Statovci-Demaj ka thënë se bursat janë të niveleve të ndryshme: bachelor, master dhe doktoratë.

“Konkretisht janë 10 bursa në agrikulturë, në bujqësi 10 në nivelin bachelor dhe 10 në nivelin master, janë 5 bursa, po flasim këtu për studime të plota do të thotë 3 vjeçare bachelor ose 3 vjeçare master varet se sa janë studimet në universitetit në të cilin do të pranohen ata studentë. Pastaj janë 5 bursa për gjuhë dhe letërsi hungareze, 3 janë studime të plota të mjekësisë, po flasim për 12 semestra një student në total dhe janë edhe 2 apo 3 bursa për Phd për fusha të ndryshme por kryesisht niveli i doktoratës ka menaxhim biznesi dhe marrëdhënie ndërkombëtare”, ka theksuar Statovci-Demaj.

Aplikonte për këto bursa mund të jenë të gjithë të interesuarit nga universitete publike e private të Kosovës si dhe nxënësit e shkollave të mesme që dëshirojnë të studiojnë në nivelin themelor të studimeve në ueb-faqen e cekur në këtë link.

Zëvendësministrja Statovci-Demaj ka thënë se njoftimi do të bëhet edhe nëpër shkolla të mesme përmes DKA-ve dhe në të gjitha institucionet tjera që kanë të bëjnë me këto bursa.

Për të aplikuar për një bursë të tillë të interesuarit duhet të dinë gjuhën angleze, gjermane ose hungareze. Të interesuarit për të studiuar në gjuhën hungareze kanë mundësi që ta mësojnë gjuhën në vitin e parë, i cili do të jetë me pagesë nga ana e Hungarisë dhe pastaj të vazhdojnë studimet.

I vetmi kriter për aplikim është se të interesuarit nuk duhet të jenë shtetas të Hungarisë.

Bursa përfshin pagesën e studimeve, akomodimin në konvikte, sigurimin shëndetësor dhe një pagesë të vogël për shpenzime përgjatë gjithë studimeve.

Të interesuarit për këto bursa mund të aplikojnë në 26 universitete të ndryshme hungareze dhe preferohet të aplikojnë deri në 3 programe të ndryshme në mënyrë që të mund ta fitojnë një nga disa bursat që ndahen.

Pranimi i të interesuarve do të bëhet në bazë të kritereve që i cakton secili universitet.

Artikulli paraprakVolvo tërheqë 59 mijë vetura
Artikulli vijuesÇka tha Adem Jashari kur i thanë mos agjëro