Prindi i një ushtari muslimano-amerikan të vrarë gjatë luftës në Irak mbajti një fjalim prekës në Konventën Kombëtare të Demokratëve për votuesit të cilët mbështesin Hillary Clinton-in, duke e akuzuar republikanin Donald Trump se nuk ka “sakrifikuar” asgjë, e se “po njollos karakterin” e pakicave fetare si familja e tij.
Khizr Khan, i biri i të cilit, kapiteni i ushtrisë Humayun Khan, humbi jetën gjatë një sulmi vetëvrasës në Bagdad para 12 viteve, tha se po të bëhej realitet propozimi i Trump-it për ndalimin e hyrjes së muslimanëve në SHBA, djali i tij nuk do të mund të shërbente në ushtrinë e këtij vendi. Familja muslimane Khan ka emigruar në SHBA nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
“A keni qenë ndonjëherë te varrezat Arlington? Shkoni atje dhe i shihni varrezat e patriotëve të guximshëm që u vranë për të mbrojtur Amerikën. Do të shihni prej të gjitha besimeve, gjinive dhe etnive,” tha ai. “Ju nuk keni sakrifikuar asgjë dhe askënd!”
Babai i ushtarit muslimano-amerikan të vrarë ka shtuar gjithashtu: “Po të ishte për Donald Trump-in, unë nuk do të isha këtu. Donald Trump e njollos vazhdimisht karakterin e muslimanëve, ai nuk i respekton pakicat e tjera, gjykatësit, femrat, dhe madje as udhëheqjen e partisë së tij. Ai është zotuar se do të ndërtojë mure dhe do t’i ndalojë muslimanët të hyjnë në këtë vend.” /tesheshi.com/