Ditëve të fundit, në opinionin kosovar është riaktualizuar çështja e shkëmbimit të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë respektivisht Kosovën Veriore me Luginën e Preshevës, si përmbyllje historike e bisedimeve mes dy palëve.
Jo pak zëra kanë dalë kundër kësaj ideje duke e quajtur tejet të rrezikshme, pasiqë mund të prodhojë dhe luftëra dhe gjakderdhje të reja. ndërsa Presidenca kosovare ka deklaruar se “duhet të pritet përfundimi i dialogut për të mësuar se cila do të jetë përmbajtja e marrëveshjes përfundimtare dhe se gjithçka tjetër në këtë fazë, është vetëm spekulim”.
E gjitha shpërtheu pas një deklarate të bërë nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Serbi, Milovan Dreçun, i cili tha ditë më parë se “Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke u përpjekur që ‘nën tavolinë’ të ofrojë bisedime për mundësinë e shkëmbimeve të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Por ja ç’thonë njohësit e rrethanave politike në Kosovë për çështjen në fjalë.
Leon Duhanaj, njohës i rrethanave politike, shprehet kategorik se nuk duhet të jetësohet një ide e tillë, duke thënë se kushdo që e bën do mbetet tradhëtarë modern, pasi sipas tij shkëmbimi i territoreve ndodh vetëm kur dy shtete njohin njëra-tjetrën.
“Vetë terminologjia e përdorur, ‘shkëmbim territoresh’, është fillim i tradhtisë kombëtare. Si mund të.quhet shkembim territorësh ndarja e njëanshme e tokës. Shkëmbim territoresh, do të mund të quhej nëse dy shtete sovrane që njohin njëra-tjetrën, të bënin ndonjë marrëveshje për ndonjë shkëmbim. Por, në.rastin siç po përgatitet në furrat e lindjes ndaj trojeve shqiptare, nuk ka shkëmbim por ka ndarje të Kosovës. Të gjithë ata, që promovojnë këtë ide, nuk janë gjë tjetër, pos tradhtarë modern. Kosova dhe shqiptarët, nuk përfitojnë asgjë, përpos humbjes së territorit”, thotë Duhanaj për tesheshi.com.
Analisti politik Shemsi Jashari, riaktlualizimin e kufijve dhe territoreve e vlerëson si çështje shumë serioze që në vehte bartë shumë të panjohura dhe rrjedhimisht edhe rreziqe për destabilizim të vendit dhe zhytje në një aventurë tepër të rrezikshme.
“Historikisht krejt çfarë vjen si ide nga qarqe të ndryshme nga Serbia nënkupton se është ne favor të Serbise dhe në dëm të Kosovës. Prandaj janë shqetësuese deklaratat e disa zyratrëve të shtetit që lënë të kuptojnë se, në të ardhmën mund të bisedohen dhe negocohen ide te tilla. Si shtet me gjithë këto sfida në nivel qeverisjes dhe me shumë tema të hapura që po e mbajn peng integrimin e Kosovës drejt BE , siç janë, Demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit, themelimi i ushtrisë, krijimi i Gjykatës Speciale, përveç se nuk jemi në situatë për të hyrë në avantura të tilla, prandaj në asnjë menyrë nuk do të duhej të hapej për bisedime një mundësi e tillë. Për me tepër shteti ynë është njohur me një tërsi territoriale si unike dhe çdo përpjekje për të ndryshuar diqka do të krijonte një kaos të vërtetë”, thotë Jashari për tesheshi.com.
Sipas tij, nga një skenar i tillë Kosova nuk do të fitonte asgjë dhe do të rrezikonte një valë të re dhune në Ballkan.
“Kosova nuk ka fuqi që garanton zbatimin e asnjë marrveshje dhe gjithçka mvaret nga kompromisi i akterëve të mëdhënjë vendimmarrës. Duke analizuar rrethanet Kosova nuk fiton asgje por rrezikon te humbë shumë”, thotë Jashari.
Kujtojmë se fuqitë e mëdha në vitin 2005, të njohura si “Grupi i Kontaktit” (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Rusia), kur kishin vendosur 6 parimet për zgjidhjen e statusit final të Kosovës kishin kundërshtuar fuqishëm ndarjen.
“Çdo zgjidhje e cila është e njëanshme apo rezultat i dhunës nuk do të pranohet. Nuk do të ketë ndryshim të territorit të tashëm të Kosovës, ndarje të Kosovës apo bashkim të Kosovës me cilindo shtet apo pjesë të ndonjë shteti. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve rajonalë do të respektohet plotësisht”, thuhej në njërën prej pikave të “Grupit të Kontaktit”. /tesheshi.