Sulmuesi i cili duke ngarë kamionin mbrëmjen e së enjtes vrau të paktën 84 persona në Nicë të Francës është identifikuar nga mediat lokale të premten si shtetas francez 31-vjeçar me origjinë tuniziane, raporton Anadolu Agency (AA).
Gazeta “Nice-Matin” sulmuesin e ka emëruar si Mohamed Lahouaie Bouhlel të lindur në Tunizi, i cili punonte si distributor dhe që jetonte në Nicë. Ai ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve, por pretendohet se ishte në proces të divorcit nga gruaja e tij.
Dokumetet e tij personale u gjetën në kamionin me të cilin shtypi turmën e njerëzve ndërsa ishin duke festuar Ditën e Bastijës. Më tej thuhet se identiteti i tij u verifikua në bazë të shenjave të gishtërinjve.
Mediat franceze raportojnë se fqinjët e tij e kanë përshkruar si një njeri të qetë, të izoluar dhe jo-fetar. Gjithashtu theksohet se ai ishte i njohur për organet hetimore, por për vepra që nuk kanë lidhje me terrorizmin. Policia kontrolloi apartamentin e tij dhe ka biseduar me njerëzit që e njihnin atë.
Gjatë sulmit tragjik në festimin e Ditës së Bastijës të enjten në mbrëmje u vranë të paktën 84 persona, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, ndërsa më shumë se 100 të tjerë u plagosën.