Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi kërkoi që politika të zgjidhë urgjentisht çështjen e vetting-ut dhe t’i hapë rrugën zbatimit të reformës në drejtësi.
Në një takim me strukturat në Sarandë, ai theksoi se është koha për një pakt kombëtar për drejtësinë dhe integrimin europian dhe që palët të lënë sherret.
“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet e ka mbështetur pa asnjë lloj kushti reformën në drejtësi. I bëj thirrje të gjithë forcave politike shqiptare, boll më me sherre që nuk kanë lidhje me interesin publik. Ka ardhur momenti që të kemi një pakt të madh kombëtar, një pakt kombëtar që të jepet dakortësi për reformën në drejtësi, por edhe për proceset e integrimit që po kalon vendi. Politika shqiptare ka qenë jashtëzakonisht e zonja për të prodhuar kriza, por nuk ka qenë e zonja për t’i zgjidhur këto kriza. I bëjmë thirrje politikës që të zgjidhë urgjentisht problemin e vetting-ut, t’i hapim rrugën një reforme shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët”, tha Idrizi.
/ Top Channel