IHT: Mos e harroni NATO-n për Nobelin e Paqes

Duke ia dhënë Çmimin Nobel për Paqe këtë vit Bashkimit Evropian, Komiteti i Nobelit plotësisht me të drejtë ka theksuar rolin kritik të BE-së në transformimin e Evropës “nga një kontinent i luftës në një kontinent të paqes”, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja International Herald Tribune.

Por, shkruan më tutje gazeta, derisa evropianët festojnë për atë që kanë arritur prej Luftës së Dytë Botërore, ata nuk duhet të harrojnë se pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, ata nuk do të ishin të suksesshëm.

Duke krijuar pavarësi ekonomike dhe pastaj ndërtim të lidhjeve të thella politike, kulturore dhe shoqërore, BE-ja u mundësoi euro-perëndimorëve, e më vonë edhe evropianëve në pjesën qendrore dhe lindore, të krijojnë prosperitet.

Tmerri i dy luftërave botërore është tërhequr në të kaluarën. Por, prosperiteti është i mundshëm vetëm kur ka siguri. Prandaj, pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, paqja nuk do të ishte e mundur.

E krijuar në vitin 1949, një aleancë e ndërtuar ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Evropës Perëndimore, i garantoi evropianët perëndimorë se ata nuk do të pushtoheshin nga tanket sovjetike. Gjatë katër dekadave të Luftës së Ftohtë, duke e ditur se Shtetet e Bashkuara do të vijnë në mbrojtje të tyre, u mundësoi evropianëve që të fokusohen në ndërtimin e mrekullisë së tyre, shkruan International Herald Tribune.

Kur përfundoi Lufta e Ftohët, kujdesi i Perëndimit u kthye kah ndihma për Evropianët në pjesën qendrore dhe lindore, që t’i bashkohen zonës së paqes dhe prosperitetit, që e gëzonin euro-perëndimorët.

Bashkimi Evropian ndihmoi që polakët, çekët, estonezët e të tjerët, të ndërtonin ekonomi të tregut, të zhvillonin demokraci dhe sundim të ligjit dhe mbrojtje për të drejtat e njeriut pas dominimit sovjetik.

Por, pa siguri, asnjëra nga këto nuk do të ishte e mundshme, konstaton gazeta. Pastaj, NATO-ja udhëhoqi në rrugën pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Së pari Aleanca Atlantike e zhvilloi programin e Partneritetit për Paqe, i paraparë për të pasur siguri se ushtritë në këto ish shtete komuniste, do të kuptojnë se çka do të thotë të ndërtohet një shoqëri demokratike.

Pastaj aleanca, e mundësoi hapjen e rrugës për anëtarësim për një duzinë shtetesh në rajon, duke u dhënë shpresë vendeve se ato mund të jetojnë në paqe dhe se popujt e tyre do ta dinë se liritë e tyre individuale do të mbrohen.

Sikur NATO-ja të mos kishte dhënë siguri, do të ishte nën dyshim çështja e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në këtë kuadër gazeta e shtron pyetjen se a do të kishte gatishmëri BE-ja të lejoj Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, të anëtarësohen, të ballafaquar me kërcënimin e Rusisë dhe në mungesë të mbrojtjes së NATO-s?

Përgjigjja, sipas gazetës, është se këto vende do të konsideroheshin shumë të pasigurta për t’u pranuar. Ato do të ishin në situatë të ngjashme me atë që gjendet Gjeorgjia, konflikti i së cilës me Rusinë, po e parandalon Tbilisin që të ndjekë rrugën e ngjashme.

Pastaj ishte lufta e Bosnjës. Lufta në fillim të viteve ’90, kishte zgjatur për afro katër vjet. Shtetet e Bashkuara shpresonin se BE-ja do ta ndalte kërdinë e shkaktuar nga qeveria serbe dhe aleatët e saj, por organizata nuk kishte gatishmëri, e as kapacitet ta bëjë këtë.

Në vitin 1995, NATO-ja e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e përfundoi luftën dhe ndihmoi në promovimin e paqes. Nuk ishte Bashkimi Evropian ai që e ndali dhunën më të tmerrshme prej Luftës së Dytë Botërore. Nuk ishte Bashkimi Evropian ai që e ndali gjenocidin, që i përkujtonte krimet e kryera nga nazistët. Ishte NATO-ja, që e ndali dhunën, ashtu siç veproi katër vjet më vonë kur shqiptarët e Kosovës ishin nën sulmin e ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, shkruan International Herald Tribune.

Ne duhet të festojmë çdo gjë që ka bërë Bashkimi Evropian dhe Komiteti i Çmimit Nobel për Paqe, qartazi, ka dashur të dërgojë sinjal se liderët evropianë nuk mund ta lënë krizën aktuale ekonomike që ta shkatërrojë atë që paraardhësit e tyre e kanë arritur.

Por, paqja në Evropë, nuk ishte thjesht rezultat i prosperitetit më të madh, ajo po ashtu ka qenë kusht paraprak për rritje ekonomike.

Liderët amerikanë të NATO-s kanë ndihmuar që paqja dhe prosperiteti të bëhen të mundshme, konstaton në fund të artikullit e përditshmja International Herald Tribune./rel

Artikulli paraprakCSM: NATO-ja duhet t’i ofrojë Turqisë mbështetje ushtarake
Artikulli vijuesWSJ: Çmimi Nobel për Letërsi Politike