Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar hetime të pavarura për dosjen e Aleksandër Lumezit mbi dhënien e provimit të jurisprudencës përmes krijimit të një ekipe të prokurorëve të EULEX-it me prokurorë amerikan, britanik dhe gjerman.
IKD nëpërmjet një reagimi thotë se duke u bazuar në hulumtimet e ekipit “Betimi për Drejtësi” dhe Kohavision, të cilat kanë faktuar manipulimin e dosjes së provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit, IKD kërkon hetime të pavarura, të paanshme dhe profesionale.
Një gjë e tillë, IKD vlerëson se nuk është duke ndodhur për arsye se hetimet janë duke u zhvilluar nga vartësi i kryeprokurorit të shtetit, prokurori Kujtim Munishi, i cili për kohë të gjatë i ka shërbyer drejtpërdrejtë kryeprokurorit Lumezi dhe i cili në çfarëdo forme trajton rastet e Lumezit, prokuror i rastit të vjedhjes së telefonit në shtëpinë e kryeprokurorit Lumezi.
“Hetimet po zhvillohen nga policë hetues të krimeve financiare e jo nga polic hetues që merren me hetimin e dokumenteve të falsifikuara në kuadër të Policinë e Kosovës; 3) Duke parë reagimin mbrojtës të verbër nga Këshilli Prokurorial për Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi; 4) Duke parë mbrojtjen e verbër të Kryeprokurorit të Shtetit nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës; 5) Duke parë sigurinë e shprehur publikisht të Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka thënë se brenda javës do të përfundojnë hetimet në rastin e dosjes Lumezi. Të gjitha këto arsye të lartcekura dhe dilemat e ngritura më poshtë në këtë reagim, bëjnë që IKD të shpreh shqetësim publik dhe të ngritë dyshimet mbi pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin e këtyre hetimeve, të cilat po zhvillohen nga vartësi i Kryeprokurorit të Shtetit, prokurori Kujtim Munishi”, thuhet në një reagim të IKD-së .
IKD për shkak të ndjeshmërisë së rastit, provave dhe dëshmive të hulumtuara dhe prezantuara, kërkon që hetimet në këtë rast të zhvillohen nga një ekip i pavarur i prokurorëve të EULEX-it, me përbërje të amerikanëve, britanikëve dhe gjermanëve, pasi vetëm në këtë mënyrë do të krijohet siguri nga publiku se hetimi i zhvilluar është i pavarur, i paanshëm dhe profesional.
“Gjithashtu, të gjitha dokumentet e hulumtuara dhe prezantuara, mbi të cilat është hedhur dyshim për manipulim, IKD kërkon të dërgohen në ekspertizë në vendet si ShBA, Britani e Madhe apo Gjermani, për të garantuar rezultate të sigurta, të cilat krijojnë besueshmëri të plotë të publikut për dyshimet e ngritura për falsifikim të provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në të kundërtën, çfarëdo rezultati që mund të nxjerr procesi i hetimeve, i cili po udhëhiqet nga prokurori Kujtim Munishi, si vartës i kryeprokurorit Lumezi, nuk do të jetë i besueshëm për publikun, i cili edhe ashtu ka besueshmërinë më të ulët në sistemin e drejtësisë”, thuhet në komunikatë.
IKD ka dërguar edhe “disa fakte dhe dëshmi të siguruara gjatë hulumtimit”:
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes emisionit “Betimi për Drejtësi” në bashkëpunim me Kohavisionin janë duke vazhduar hulumtimin mbi dhënien e provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit, tani Kryeprokuror i Shtetit. Në vazhdim janë paraqitur faktet dhe dilemat që prokuroria duhet t’i heq përmes hetimit të pavarur, të paanshëm dhe profesional për ta bindur publikun për rezultatin përfundimtar.
• Gjetjet e hulumtimit dëshmojnë se dosja e Aleksandër Lumezit në tërësi është e manipuluar dhe kjo është argumentuar përmes hulumtimit të këtyre dokumenteve relevante origjinale:
1. Dosjes personale të praktikantit Aleksandër Lumezi;
2. Librit të regjistrimit të paraqitjes së provimit;
3. Dosjes bazë me procesverbalin mbi dhënien e provimit;
4. Certifikata e dhënies së provimit nuk përputhet me dosjen bazë;
• Gjetjet në të gjitha këto dokumente origjinale – në librin amzë mbi dhënien e provimit – dëshmojnë se:
1. Aleksandër Lumezi nuk e ka paraqitur provimin e jurisprudencës në librin origjinal të paraqitjes së provimit, i cili ekziston në Arkivin e Kosovës;
1.1. Aleksandër Lumezi në librin origjinal të paraqitjes së provimit figuron vetëm mbi llakun e bardh në të cilin ishte shkruar në origjinal Zymer Krasniqi; Pra, provimi është paraqitur nga Zymer Krasniqi dhe kjo mbështetet në të gjitha dokumentet e dosjes personale dhe në dëshminë e vetë Krasniqit.
2. Dosja bazë nuk i takon Aleksandër Lumezit;
2.1. Aleksandër Lumezi figuron në dosjen bazë vetëm mbi llakun e bardh në të cilin ishte shkruar në origjinal Zymer Krasniqi; Pra, dosja bazë i takon Zymer Krasniqit dhe kjo mbështetet në të gjitha dokumentet e dosjes personale dhe në dëshminë e vetë Krasniqit.
2.2. Procesverbali mbi dhënien e provimit të jurisprudencës, i cili figuron në brendi të dosjes bazë i takon Aleksandër Lumezit. Zymer Krasniqi nuk ka fare procesverbal në dosjen bazë.
2.3. Procesverbali i Aleksandër Lumezit është në kundërshtim të plotë me ligjin, duke përfshirë rënien në provime dhe numrin e lëndëve që është riprovuar me shkrim.
3. Libri amzë mbi regjistrimin e kandidatëve që e kanë dhënë provimin e jurisprudencës ekziston në origjinal në Ministrinë e Drejtësisë. Në këtë libër, figuron Aleksandër Lumezi në cirilikë në numrin rendor 30. Në këtë regjistër shkruan se Aleksandër Lumezi e ka dhënë provimin më 25 prill 1991. Në këtë libër nuk figuron Zymer Krasniqi, i cili figuron në regjistrin e paraqitjes së provimit dhe dosjen bazë.
4. Certifikata mbi dhënien e provimit të jurisprudencës e prezantuar nga Aleksandër Lumezi mban datën 25 prill 1991, si datë kur e ka përfunduar provimin e jurisprudencës. Por, në procesverbalin e dosjes bazë, shkruan se Aleksandër Lumezi e ka dhënë provimin më 26 prill 1991. Sipas kësaj, del se certifikata është lëshuar një ditë para se ta japë provimin e jurisprudencës.
5. Nënshkrimin në këtë certifikatë e ka vërtetuar Gjorgje Aksiq përmes një vërtetimi të noterizuar në Beograd të Serbisë me kërkesë të Aleksandër Lumezit. Ky vërtetim i Aksiqit shërben vetëm si dëshmi e autencitetit të nënshkrimit që gjendet në certifikatën e Lumezit. Sipas vërtetimit të lëshuar me kërkesë të Aleksandër Ljumezit, Gjorgje Aksiq deklaron me përgjegjësi të plotë se “Certifikatën për dhënien e provimit të judikaturës 02 nr.152-1-1217/90 të datës 06.05.1991, e cila më është dhënë në shikim, në të cilën shkruan se Aleksandër Lumezi nga Prishtina, më dt. 25.04.1991 e ka dhënë provimin e judikaturës, e kam nënshkruar unë”.
• Dokumente të gjalla të vitit 2000, të cilat janë mbajtur nga anëtarët e Komisionit Konsultativ Juridik, të cilët ishin përgjegjës për vlerësimin e kandidatëve për gjykatës dhe prokurorë në vitin 1999 dhe 2000 në kohën e UNMIK-ut.
1. UNMIK-u kishte krijuar në vitin 1999/2000 një Komision me shumicë vendore së bashku me përfaqësues ndërkombëtarë për rekrutimin e gjykatësve dhe prokurorëve menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.
2. Ky Komision posedon procesverbalet, të cilat dëshmojnë metodologjinë se si ishin evidentuar të dhënat mbi kandidatët që kishin konkurruar për këto pozita.
3. Procesverbali dëshmon se kandidati Aleksandër Lumezi nuk e ka pasur provimin e jurisprudencës të deklaruar në vitin 2000 dhe për këtë arsye ishte përjashtuar nga emërimi si gjykatës.
4. Procesverbali i vitit 2000 dëshmon se atë kohë, jashtë propozimeve të këtij Komisioni, ishin propozuar emra për t’u emëruar si gjykatës dhe prokurorë, në kundërshtim me kriteret e konkursit, përkatësisht janë propozuar edhe kandidatë, të cilët nuk e kanë pasur të përfunduar provimin e jurisprudencës.
5. Kryetari dhe anëtarët e këtij Komisioni, sipas procesverbalit, kishin kundërshtuar ashpër ndërhyrjet në listat e kandidatëve, duke theksuar se Administratorit të UNMIK-ut z. Bernard Kushner, i janë dërguar emra të kandidatëve, të cilët nuk e kanë pasur provimin e jurisprudencës.
6. Kushner kishte emëruar 31 gjykatës dhe prokurorë, të cilët nuk ishin propozuar nga Komisioni Konsultativ Juridik, ku në mesin e tyre kishin qenë kandidatë që nuk e kanë pasur të kryer provimin e jurisprudencës.
• Dëshmitarët e gjallë të vitit 2000, të cilët ishin anëtarë të Komisionit Konsultativ Juridik, të cilët ishin përgjegjës për vlerësimin e kandidatëve për gjykatës dhe prokurorë në vitin 1999 dhe 2000 në kohën e UNMIK-ut.
1. Riza Smaka ish-Kryetar i këtij Komisioni, bazuar në punën e këtij Komisioni, i cili kishte evidentuar të dhënat e kandidatëve dhe kishte intervistuar ata në vitin 1999/2000, dëshmon publikisht se Aleksandër Lumezi nuk e ka pasur provimin e jurisprudencës. Smaka ka dëshmuar se Lumezi iu ka arsyetuar për mungesën e provimit të jurisprudencës me faktin se nuk ka pasur organizim të këtij provimi gjatë kohës së regjimit të Serbisë mbi Kosovë në vitet e 90-ta.
2. Adil Fetahu ish-Anëtar i këtij Komisioni, i cili kishte evidentuar të dhënat e kandidatëve dhe kishte intervistuar ata në vitin 1999/2000, dëshmon publikisht se Aleksandër Lumezi nuk e ka pasur provimin e jurisprudencës. Fetahu ka dëshmuar se personalisht i ka mbajtur shënimet dhe e ka pyetur Lumezin, i cili ka deklaruar se nuk e ka provimin e jurisprudencës. Ai ka ofruar procesverbal të përgatitur në vitin 2000 për këtë dëshmi të tij publike.
3. Ragip Halili ish-Anëtar i këtij Komisioni, dëshmon se ekzistojnë procesverbalet, në të cilat ai dhe anëtarët e tjerë të Komisionit, kishin reaguar ashpër ndaj atyre që kishin shtuar në listë kandidatë, të cilët nuk e kishin pasur provimin e jurisprudencës.
4. Bajram Krasniqi ish-Anëtar i këtij Komisioni, dëshmon se ekzistojnë procesverbalet, në të cilat ai dhe anëtarët e tjerë të Komisionit, kishin reaguar ashpër ndaj atyre që kishin shtuar në listë kandidatë, të cilët nuk e kishin pasur provimin e jurisprudencës.
• Hetimet për dyshimet e falsifikimit të dosjes së provimit të jurisprudencës zhvillohen nga prokurori Kujtim Munishi, vartës i Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.
1. Hetimet për dyshimet e falsifikimit të dosjes së provimit të jurisprudencës zhvillohen nga prokurori Kujtim Munishi, vartës i Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, i cili për një kohë të shkurtër ka arritur të punojë në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të bëhet shef i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
2. Kujtimi Munishi, vetëm dy vjet e gjysmë pasi ishte bërë pjesë e sistemit Prokurorial të Kosovës, ka arritur të transferohet nga zyra e prokurorit të Gjilanit, në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi. Ky i fundit, përmes vendimit të nënshkruar më 28 prill të 2015, kishte deleguar tek Kujtim Munishi, kompetenca të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas vendimit, përveç kompetencave që Munishi do t’i kishte si prokuror i Gjilanit, ai do të ushtronte edhe funksione të tjera që hyjnë në kuadër të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke përfshirë: hartimin e raporteve dhe dokumenteve të tjera me shkrim. Prokurori Munishi kishte kryer detyra dhe përgjegjësi tjera drejtpërdrejtë nën mbikëqyrjen e Kryeprokurorit Lumezi. Prokurori Munishi tashmë është shef i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
3. Munishi po e heton rastin, nën monitorim të përfaqësuesve të EULEX-it. Ambasadat e huaja nuk janë përfshirë në monitorim të këtij rasti.
4. Munishi është gjithashtu prokuror i rastit, në të cilin Kryeprokurorit Lumezi, iu kishte vjedhur telefoni në shtëpinë e tij.
• Paragjykimet dhe ndërhyrjet në procesin e hetimeve nga politika, qeveria dhe vetë sistemi prokurorial.
1. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka propozuar Aleksandër Lumezin për Kryetar të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Në gjithë historikun e këtij Komisioni, figuron se Kryetar i Komisionit ka qenë Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës. Me ngritjen e debatit rreth dyshimeve për falsifikimin e provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit, ministri Tahiri ka bërë disa deklarata, duke i paragjykuar hetimet e prokurorisë, se ato, do të përfundojnë për një kohë të shkurtër. Tahiri ka thënë ka kërkuar përfshirjen edhe të ndërkombëtarëve “dhe se shpreson se brenda kësaj jave do të përfundojë ky rast me një hetim të qartë dhe kredibil”. Kjo përbën ndërhyrje të politikës dhe ekzekutivit mbi sistemin prokurorial dhe hetimet që janë duke u zhvilluar në këtë rast. Ministri nuk ka kompetenca të ketë asnjë informacion dhe përgjegjësi në proceset hetimore që zhvillohen . Pushtetet janë të ndara dhe duhet të respektohen me përpikëri. Fakti se ministri flet për afate kohore me kompetencë, paraqet ndërhyrje të pastër të politikës në hetime.
2. Deklarimet publike të Ministrit Tahiri në çka bazohen?
3. A do të thotë se Ministri Tahiri është duke u informuar nga Prokuroria apo Policia lidhur me rrjedhën e hetimeve?
4. Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka paragjykuar në tërësi çdo dyshim të ngritur rreth dosjes së falsifikuar të provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit. Sipas Këshillit, Lumezi ka kaluar të gjitha filtrat e emërimit dhe poashtu të verifikimit në vitin 2009-2010 nga Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial. Faktet e prezantuara Këshilli i ka vlerësuar si përpjekje për të dëmtuar imazhin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe të sistemit prokurorial, prandaj kanë kërkuar nga ata të cilët i kanë ngritur këto dyshime, që të njëjtat t’i tërheqin publikisht.
5. Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka paragjykuar në tërësi pretendimet e ngritura provimi e jurisprudencës së Aleksandër Lumezi. Shoqata ka vlerësuar hulumtimet si tendencë për të zbehur dhe zmbrapsur punën e Prokurorëve të Shtetit, duke i quajtur hulumtime të përgatitura dhe të fabrikuara. Shoqata ka kërkuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare t’i dalin në mbrojtje Prokurorit të Shtetit, duke i ofruar mbështetje të plotë Kryeprokurorit të Shtetit, në punën e tij të suksesshme.
• Pritjet nga procesi i hetimeve për të vërtetuar dyshimet mbi falsifikimin e dosjes së provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit. IKD vlerëson se pa përgjigje në këto pyetje çfarëdo rezultati i hetimeve nga vartësi i Kryeprokurorit Lumezi, nuk do të jetë hetim i pavarur, i paanshëm dhe profesional.
1. Pse në dosjen personale të Lumezit nuk figuron vërtetimi i gjykatës për punën praktike një vjeçare, e cila shërben për ta paraqitur provimin e jurisprudencës?
2. Pse në dosjen e Lumezit, nuk ekziston aktvendimi me të cilin lejohet që ai t’i nënshtrohet provimit të jurisprudencës?
3. Si ka mundësi që Aleksandër Lumezi ta paraqesë provim e jurisprudencës pa e kryer një vit punë praktike?
4. Si ka mundësi që në librin origjinal të paraqitjes së provimit të jurisprudencës nuk figuron Lumezi?
5. Pse Lumezi figuron mbi llakun e bardhë mbi emrin e Zymer Krasniqit?
6. Pse Lumezi nuk figuron në dosjen bazë në origjinal?
7. Pse Lumezi figuron në dosjen bazë mbi llakun e bardhë mbi emrin e Zymer Krasniqit?
8. Pse nuk janë procesverbalet e provimit me shkrim të Lumezit në brendi të dosjes bazë?
9. Pse gjithë përmbajtja e procesverbalit mbi dhënien e provimit të jurisprudencës është në kundërshtim të plotë me ligjin?
10. Si ka mundësi ligjërisht që Aleksandër Lumezi të mbetet në riprovim me shkrim në dy provimet bazike, në penale dhe civile?
11. Nëse ka mbetur në provim me shkrim në civile dhe penale (edhepse ligjërisht dhe sipas ish-Sekretarit të Komisionit për Jurisprudencë z. Sahit Shala kjo nuk është e mundur), atëherë pse në provim me gojë ka hyrë në civile dhe ekonomike?
12. Ku ka mbetur procesverbali mbi hyrjen në provim nga e drejta penale me gojë?
13. Si ka mundësi që certifikata mbi dhënien e provimit të jurisprudencës nga Aleksandër Lumezi të lëshohet me 25 prill 1991, ndërsa në procesverbal shkruan se e ka përfunduar provimin me 26 prill 1991?
14. Si ka mundësi që të lëshohet certifikata një ditë para se të hyjë dhe ta përfundojë provimin?
15. A është plotësuar certifikata në përputhje me procedurat ligjore?
16. Si ka mundësi që ish-Sekretari Krahinor për Judikaturë dhe Administratë, Gjorgje Aksiq, i cili e ka nënshkruar certifikatën, të jetë pjesë e Komisionit, i cili e ka pyetur Aleksandër Lumezin?
17. Si ka mundësi që ish-Sekretari Krahinor për Judikaturë dhe Administratë, Gjorgje Aksiq ta emërojë vetën në Komision, kur një gjë e tillë nuk lejohet me ligj?
18. Si ka mundësi që në vitin 1990 të formohet Komisioni nga ana e Sekretarit Republikan të Judikaturës dhe Administratës e të nënshkruhet nga ana e Gjoergje Aksiqit një vit më vonë?
19. Prokuroria a i ka siguruar aktvendimet e Republikës së Serbisë, përfshirë dhe këtë kontestuesen, të cilat gjenden në Arkivin e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, jo në Kosovë, për të vërtetuar pretendimet e ngritura për falsifikim?
20. Certifikatat ligjërisht deri në vitin 1990 janë lëshuar për shqiptar në gjuhë shqipe, për serbë në gjuhë serbe me alfabet latin, kurse pas suprimimit të autonomisë së Kosovës është zbatuar shkrimi dhe alfabeti serb në cirilikë. Zyrtarët që kanë punuar atë kohë, deklarojnë se certifikatat nuk janë lëshuar në dy gjuhë: serbisht dhe shqip. Në këtë mënyrë nuk janë lëshuar as gjatë periudhës së autonomisë e as pas suprimimit të saj pas vitin 1990. Si është e mundur që certifikata e Lumezit është lëshuar në dy gjuhët?
21. Pse ky rast është duke u hetuar nga Prokurori Munishi dhe policë hetues të krimeve financiare?
22. Pse ky rast nuk trajtohet nga njësia e veçantë lidhur me hetimin e dokumenteve të falsifikuara në Policinë e Kosovës?
23. A është bërë ekspertizë grafologjike e dokumenteve, të cilat janë të manipuluara, të lyera me llak, mbi të cilat është shkruar emri i Aleksandër Lumezit?
24. Për ta rritur besimin e publikut në këtë proces të hetimeve, a duhet të bëhet një ekspertizë e tillë grafologjike e pavarur, e paanshme dhe profesionale jashtë vendit si në ShBA, Britani të Madhe apo Gjermani?
25. Ekzaminimi grafologjik i certifikatës së bërë publike nga vetë Kryeprokurori Aleksandër Lumezi është masë e nevojshme për ta vërtetuar vjetërsinë e letrës dhe të shkrimit në te (të vërtetohet nëse është shkruar në vitin 1991 apo në vitin 2000 apo në ndonjë vit tjetër)?
26. A janë bërë krahasime të certifikatës së Lumezit me certifikatat e pakontestuara të kandidatëve që e kanë kryer provimin në vitin 1991?
27. Certifikatat tjera a janë të formatit, dizajnit, alfabetit dhe detajeve tjera të ngjashme sikurse certifikata e Lumezit?
28. Kjo ekspertizë do të zbardhte shumë rrethana të dyshimeve të ngritura, bazuar në certifikatën e prezantuar nga vetë Kryeprokurori Lumezi dhe dosja bazë mbi dhënien e provimit të jurisprudencës, e cila gjendet në Arkivin e Kosovës.
29. Ekspertiza do të vërtetonte së paku tri aspekte të rëndësishme të mos përputhjes së të dhënave.
a. Së pari ka të bëjë me riprovimin dhe kundërthëniet që kanë të bëjnë me lëndët në të cilat kandidati ka hyrë në riprovim më datën 26 prill 1991?
b. Së dyti ka të bëjë me datën e kryerjes së (ri) provimit të jurisprudencës, që sipas certifikatës të publikuar nga vetë Lumezi është data 25 prill 1991 dhe jo një ditë më vonë se kjo datë?
c. Së treti ka të bëjë me aktvendimin për lejimin e hyrjes në provim të Aleksandër Lumezit. Sipas dëshmisë që ka marrë në Beograd del se aktvendimi është lëshuar nga ish-Sekretari Krahinor për Judikaturë dhe Administratë, Gjorgje Aksiq. Ndërsa, në dosjen bazë, thuhet se aktvendimi i takon Sekretarit të Republikës së Serbisë, përkatësisht thuhet kështu: “Komisioni i themeluar me Aktvendimin e Sekretarit Republikan për Judikaturë dhe Administratë nr. 152-1568/90-12 të datës 30.X.1990”. Hetuesia duhet ta vërtetojë një gjë të tillë.
30. A janë siguruar dokumentet e UNMIK-ut të Komisionit Konsultativ Juridik dhe të Ish-Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm, z. Bernard Kushner për vitin 1999/2000, për të parë kandidimin e Aleksandër Lumezit dhe dosjen e tij?
31. A janë të vërteta procesverbalet e ofruara nga anëtarët e Komisionit Konsultativ Juridik, në të cilat shkruan se Aleksandër Lumezi kur ka konkurruar për gjykatës dhe prokurorë nuk e ka pasur provimin e jurisprundencës?
32. A janë siguruar dokumentet e UNMIK-ut, të cilat ekzistojnë sipas anëtarëve të Komisionit Konsultativ Juridik dhe që dëshmojnë se 31 kandidatë në vitin 2000 ishin emëruar si gjykatës dhe prokurorë, pa propozim të Komisionit edhe pa e pasur provimin e jurisprudencës?
33. A janë intervistuar dëshmitarët e gjallë, të cilët kanë deklaruar edhe publikisht se procesverbalet e vitit 2000, sipas të cilave Aleksandër Lumezi nuk e ka pasur provimin e jurisprudencës, janë të sakta (dëshmitarët ish-Kryetari i Komisionit Riza Smaka dhe tre anëtaret Adil Fetahu, Shaban Kajtazi dhe Bajram Krasniqi)?
34. Pse në këtë rast merret Prokuroria Themelore në Prishtinë?
35. Pse në këtë rast caktohet vartësi më i afërt i Aleksandër Lumezit, prokurori Kujtim Munishi?
36. Pse ky rast nuk është trajtuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, meqë dyshohet për falsifikim të diplomës së provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit?
37. Pse në këtë rast për të garantuar pavarësi të hetimeve, paanshmëri dhe profesionalizëm nuk është përfshirë në hetim drejtpërdrejtë EULEX-i?