Gërxhaliu: CEFTA e ka humbur efektin

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka folur për gjendjen e biznesit për të cilën ka thënë se vazhdon të jetë e rëndë.

Ai ka folur edhe për buxhetin, marrëveshjen për Tregti të Lirë (CEFTA), privatizimin e tokave dhe fusha të tjera.

“Nga hulumtimet tona vërehet se ka një rënie të punësimit në Kosovë. Dy arsye pse ka rënie të optimizmit në këtë sektor janë: për shkak të përfundimit të punëve sezonale, kjo e ndikuar edhe nga organizimi i zgjedhjeve parlamentare e lokale si dhe nga rundi i dytë i balotazhit që ka dhënë efektet negative”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka folur edhe për marrëveshjen e CEFTA-së për të cilën ka thënë se Kosova ka përfituar më shumë politikisht sesa ekonomikisht. Sipas tij, Kosova duhet të prezantohet në këtë marrëveshje si shtet e jo të ndërlidhet me UNMIK-un.

“Mekanizimi i CEFTA-s ka qenë që t’i afrojë shtetet. Por nga ajo ka përfituar më shumë politika sesa ekonomia. Si Odë Ekonomike kemi rekomanduar që të kemi rishikim të kësaj marrëveshje. Shtylla e katërt e UNIMIK ka qenë e rezervuar. Kosova duhet të shkojë në takimin e CEFTA-s në Beograd më 23 nëntor por duhet të jemi të barabartë me shtetet e tjera. CEFTA si marrëveshje e ka humbur efektivitetin e vet”, ka thënë kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.

Ai ka folur edhe për çështjen e faturimit të energjisë elektrike, ku humbjet komerciale u janë fatuar qytetarëve të vendit që kanë paguar rregullisht faturat e rrymës.

“Çmimi i energjisë elektrike ka qenë në disfavor jo vetëm të bizneseve por edhe të qytetarëve. Duhet të kemi rend dhe sundim të ligjit. E kemi një shkallë të varfërisë ekstreme. Kjo është diçka që nuk i bën nder Kosovës dhe as qytetarëve të saj. Faturimi për t’i mbuluar humbjet komerciale, është shkelje e të drejtave të njeriut”, ka thënë Gërxhaliu.

Kryetari i OEK-ut ka thënë se numri i madh i ministrive si dhe emërimi i kaq shumë zëvendësministrave është një barrë e rëndë për buxhetin.

Kurse për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore ka thënë se si Odë Ekonomike kanë kërkuar edhe më herët që kjo të ndalet, në mënyrë që toka t’u sigurohet për investime investitorëve vendor e të huaj. /Telegrafi/

Artikulli paraprakIKD: Dosjen e Lumezit ta hetojnë prokurorët e EULEX-it
Artikulli vijuesInstitucionet shëndetësore nuk ka kush t’i inspektojë